E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e arratisur sërish luftë me policinë greke. Vijon ndjekja

Edhe natën e kaluar dhe gjatë gjithë paradites së sotme policia greke vazhdon ndjekjen e 4 shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikalas. Operacion i gjerë po zhvillohet në zonën e Epirit.

Mësohet se rreth orës 2:00 pas mesnate, 4 shqiptarët e armatosur, në një makinë rurale Navara, kanë ndeshur në një patrullë policie në postbllokun e Artës dhe menjëherë kanë hapur zjarr me kallashnikovë mbi policët, por fatmirësisht këtë herë nuk ka patur asnjë të lënduar.

Sipas të dhënave, dy nga personat që ishin në makinë thyen xhamat e saj dhe hapën zjarr për disa sekonda dhe më pas u larguan me shpejtësi. Policët thonë se kanë njohur Marian Kolën dhe Ilir Kupën.

Makina e cila rezultonte e vjedhur në Agrinio, u gjet më pas e braktisur në shkollën e Filipiadas. Në këtë vend ata vodhën një makinë tjetër dhe janë drejtuar në fshatrat e Sulit, ku terreni është shumë i vështirë.

Kjo zonë është 20 minuta larg kufirit greko-shqiptar, gjë që përforcon idenë se ata mund të hyjnë në Shqipëri. Fotot e 4 të arratisurve janë shpërndarë në gjithë zonën dhe policia greke po përpiqet që të mos i lejojë të kalojnë kufirin. Janë njoftuar autoritetet shqiptare, të cilat kanë siguruar se do të bashkëpunojnë për kapjen e tyre.

Sipas disa burimeve, të armatosurit, janë jashtë kontrollit nën efektin e drogës dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen.

Mbrëmjen e 2 korrikut gjatë një shkëmbimi zjarri mes shqiptarëve dhe policisë, u vranë xhaxha e nip, Flamur dhe Edison Lika. 

Në kërkim të 4 shqiptarëve janë vënë rreth 300 forca policie mes tyre edhe ato speciale EKAM, helikopterë me kamera termike dhe qen të policisë dhe sipas forcave të sigurisë, kapja e tyre është vetëm cështje kohe. 

Operacioni policor për kapjen e shqiptarëve të arratisur është tashmë ndër lajmet kryesore të medias greke dhe ka ndjeshmëri të madhe në publik, për shkak të viktimave të shkaktuara prej tyre.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›