E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët e goditur nga varfëria mbërthehen nga ethet e aritNga Briseida Mema, AFPDrisht, Shqipëri - Të braktisur, pa punë dhe në varfëri ekstreme, nj

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shqiptarët e goditur nga varfëria mbërthehen nga ethet e aritNga Briseida Mema, AFP

Drisht, Shqipëri - Të braktisur, pa punë dhe në varfëri ekstreme, njerëzit në këtë rajon të largët të Shqipërisë janë kthyer në gjuetarë të një thesari që sipas legjendës ndodhet i fshehur në një fortesë këtu e një shekull më parë.

“Legjenda thotë se e gjithë sasia është e fshehur këtu”, - thotë Dyl Buhaj, një i moshuar i zonës për një thesar të kohës së Turqisë otomane. Sipas tij, turqit e kanë varrosur atë në rrënojat e Kështjellës së Drishtit, në majë të një kodre shkëmbore.

Për të provuar këtë që thotë, Buhaj tregon disa dorëshkrime, sipas të cilave turqit e braktisën thesarin në fortesë, ndërsa arratiseshin në vitin 1912 për shkak të rënies së perandorisë së tyre.

“Shpresa për të gjetur thesarin është ajo çka na mban në këtë vend, pavarësisht varfërisë tonë ekstreme”, - shpjegon Buhaj.

“Burra, gra, fëmijë - të gjithë ne jemi në kërkim të arit”, - shton gruaja e tij, Ismetja.

Fshati i Drishtit, në veri të Shqipërisë, përbëhet nga një grusht shtëpish që janë dhe banesat e rreth 10 familjeve, të ardhurat e të cilave janë vetëm disa bagëti të dobëta që kërkojnë ushqim në një tokë të thatë.

Varfëria e tyre reflekton krizën e gjatë sociale dhe ekonomike që ky vend ballkanik ka përjetuar që pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve ‘90.

Në kërkim të arit; fshatarët kërkojnë gjithandej, madje dhe poshtë mureve të fortesës që mezi mbahen në këmbë, duke e vënë veten në rrezik nga gurët që bien, pavarësisht se ligji parashikon që pasuritë arkeologjike mbrohen nga dhunuesit.

Madje dhe varret nuk janë kursyer në kërkim për ndonjë unazë a ndonjë varëse të varrosur bashkë me ndonjë të vdekur, në përputhje me traditat e vjetra.

Antropologjistja Afërdita Onuzi thotë se kërkimi për ar në Drisht është i motivuar dhe nga gëzimi që ka përshkuar ata, kur kanë parë se aty po bëheshin gërmime arkeologjike.

“Ata thjesht kanë stimuluar legjenda mes banorëve në lidhje me arin që është fshehur nga ushtria turke duke u larguar nga Shqipëria”, - thotë ajo.

Të tilla kërkime për thesare të harruara ose të varrosura kanë ndodhur dhe në rajone të tjera të Shqipërisë.

Sociologu Gent Çeli shpjegon se ka qenë pak a shumë një veprim i familjeve shqiptare për të fshehur pasuritë e tyre që përballeshin me kohëra të vështira.

“Tregtarët ose dhe pronarët e mëdhenj të pronave… e fshihnin pasurinë e tyre, paratë, arin apo lingotat në kopshtet e tyre, mure, apo poshtë pemëve gjatë konflikteve, apo dhe pasi komunistët morën pushtetin në vitin 1945”, - tha Çeli për AFP.

“Duke iu trembur persekutimit nga komunistët, shumë vdiqën duke mbajtur të ruajtur sekretin ndaj secilit, madje dhe ndaj të afërmve të tyre”, - thotë ai.

Çeli thotë se ai ka gjetur tri çanta me pará në vitin 1985, mes tyre dhe shumë monedha ari gjatë rikonstruksionit të shtëpisë së tij në qytetin e Elbasanit.

Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990, shumë familje nisën të kërkojnë për pasuritë e fshehura nga paraardhësit e tyre.

Fenomeni ishte veçanërisht dominues në disa zona urbane, ku jetonin njëherë e një kohë familjet e pasura dhe të njohura.

Çeli flet për “ethe reale ari” në Elbasan, në Durrës e madje dhe në Gjirokastër, në pjesën jugore të vendit.

“Është tashmë shumë e njohur që shumë familje po kërkojnë thesaret familjare. Disa prej tyre kanë gjetur diçka, por askush nuk flet për këtë”, - thotë ai.

Por, larg legjendave, thashethemeve dhe shpresës për të gjetur një rrugë për t’i shpëtuar varfërisë, në të vërtetë një sasi prej 370 kilogramësh ar - që fshihej nga qeveria shqiptare në tunelet nëntokësore të Krrabës - u vodh gjatë vitit 1997 gjatë rebelimit të armatosur që tronditi vendin.

Ari nuk u gjet kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›