E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët edhe ryshfetin e paguajnë më shtrenjtë

Gazeta “Lajm” raporton se tarifat e ryshfetit për shqiptarët janë më të shtrenjta sesa për maqedonasit. Kjo gazetë bëri të ditur para disa ditësh se për të marrë një pasaportë në mënyrë të shpejtë, një qytetar me kombësi shqiptare duhet të paguajë 250 euro, ndërsa për maqedonasit bëhet e ditur se paguajnë vetëm 150 euro për të marrë një pasaportë për tre ditë.

Në mënyrë ligjore, shqiptarët paguajnë 5 mijë dinarë për një procedurë të përshpejtuar, por, atyre u duhet të paguajnë edhe 150 euro të tjera nën dorë për ta marrë pasaportën për tre ditë.

Mediat maqedonase informuan se pasaporta e shpejtë në këto ditë të nxehta mund të merret për 200 euro, prej të cilave, rreth 100 euro jepen nën dorë dhe pesë mijë denarë në mënyrë legale.

Një qytetar nga një lagje e Shkupit thotë se ka paguar 250 euro për pasaportën, të cilën e ka marrë për tre ditë. “Më duhej patjetër. U paraqita me telefon dhe më caktuan pas një muaji, edhe atë me procedurë të përshpejtuar. Duhej të prisja shumë gjatë, ndaj dhe zgjodha një rrugë tjetër. Një mik më tregoi se mund ta marr pasaportën për tre ditë, por kushton shumë shtrenjtë. Pranova, pasi më duhej patjetër. Në të kundërtën do të humbisja shumë më shumë”, citohet ai nga “Lajm”.

Tek shqiptarët tarifa është më e lartë, pasi ata paguajnë haraç edhe për ndërmjetësuesit që duhet ti lidhin me shefin që zakonisht është maqedonas. Dhe meqë paratë ndahen në më shumë veta, edhe tarifa rritet.

Të enjten, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska nuk deshi t’i komentojë rastet e mitmarrjes së pasaportave.

Pasaportat nuk janë të vetmet ku shqiptarët kanë tarifa më të larta të dhënies së ryshfetit. Edhe në spitale dhe fakultete, tarifa e dhënies së ryshfetit për shqiptarët është më e lartë, pasi ata paguajnë me një ndërmjetësues me tepër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›