“Edi Rama t’u kërkojë falje policëve për sulmin banditesk të 21 janarit”
Reagon Ministria e Brendshme pas akuzave të kreut të PS
Ministrisë së Brendshme ka reaguar në lidhje me deklaratat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë tryezës së djeshme për sigurinë dhe rendin.
Në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli, ka deklaruar se “Shqiptarët patën sërish mundësinë, të shohin edhe njëherë me zë dhe me figurë, Edi Rama të paraqesë si Rilindjen e policisë, ish policë të inkriminuar dhe korruptuar të larguar nga radhët e saj, nga vetë qeveritë socialiste”.
Sipas tij, shqiptarët e panë të paraqesë si Rilindje të Policisë, platformën e banditëve dhe paramilitarëve që përdori më 21 janar.
“Ai që ende nuk gjetur kurajën t’ u kërkojë ndjesë publike efektivave të policisë për dhunë e egër që urdhëroi ndaj tyre, hordhitë e 21 janarit, i paraqiti si të ardhmen e policisë”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Më tej zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli vuri ne dukje se, “Edi Rama foli për lidhje të politikës me krimin, ndërkohë që i vetmi model i ndarjes se pushtetit dhe bashkëpunimit me krimin është ai vetë dhe kupola e partisë së tij. Si i vetmi politikan i kapur nga krimi, kur ishte Kryebashkiak ai ushqeu krimin e organizuar me lejë ndërtimi dhe bëri të pamundurën të pastronte paratë e pista të tij. Ai derdh lot krokodili për pronën, ndërkohë që është grabitësi dhe përvetësuesi, me forcën e krimit, të pronës së mijra qytetarëve të Tiranës”.
Ndër të tjera, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme nënvizoi faktin se dëgjojmë nga Rama për shitje të Policisë, ndërkohë që ata që e kanë shitur, dekonspiruar dhe tradhtuar Policinë në misionin e saj, Edi Rama i paraqet sot si ekspertët e Rilindjes së tij.
“I kujtojmë zotit Rama, se ajo kohë ka ikur njëherë e përgjithmonë së bashku me Rilindësit e tij, dhe nuk kthehet më. Ai abuzoi sërish me dhimbjen e familjarëve të efektivave të rënë në krye të detyrës, duke fshehur të vërtetën. Ligjet e miratuara nga kjo mazhorancë, kanë bërë të mundur trajtimin dinjitoz të familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, ndërkohë që në sajë të përkujdesjes së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, bashkëshortet apo të afërmit e tyre janë punësuar me përparësi”, vijoi ai. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Brendshme, fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës përfitojnë me ligj bursa studimi dhe integrim në jetën shoqërore sapo përfundojnë studimet e larta dhe familjet e tyre përfitojnë kreditime me zero interes për strehim.
“I kapur mat nga fakti se pagat e punonjësve të Policisë të premtuara prej tij, ne i kemi bërë realitet prej kohësh, dëshmoi edhe njëherë se ai dhe Rilindësit e tij, nuk njohin realitetin e Policisë, por vetëm virtualietin e Twitter-it. Shifrat dhe statistika zyrtare që Policia e Shteti bëri publike, vetëm një ditë më parë, janë treguesi i qartë i arritjeve të organizatës. Numri rekord i evidentimeve të ngjarjeve, rekordi i zbulueshmërisë, kapjes dhe vënies para drejtësisë së autorëve të krimeve, rritja me disa fish i sasisë së drogës së kapur nga viti- në vit, përgjysmimi i sipërfaqes së mbjellë me bimë narkotike vetëm në një vit, rritja më shumëfish e forcës parandaluese, dhjetëra operacione të përbashkëta, shumë të suksesshme me partnerët ndërkombëtarë janë treguesit më të qartë të profesionalizmit, performancës dhe arritjeve të Policisë së Shtetit”, theksoi Olli.
Në përfundim zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Leronard Olli i kujtoi kreut të opozitës së intimidimi i Policisë së Shtetit duke inkurajuar krimi dëshmon vetëm frymën e tij okulte dhe e bëjnë të pashpresë para shqiptarëve.