E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët, me dinjitet në Europë, nderojnë betejën e paraardhësve me klonin enverist

16-12-2010 / Gazeta 55

Asnjë komb tjetër nuk e priti më me gëzim se shqiptarët rënien e murit që pengonte lëvizjen e lirë. Kryeministri Berisha uroi të gjithë shqiptarët dhe bëri një homazh për të gjithë ata që ranë në klonin e diktaturës, duke tentuar Europën, aspiratën e të gjithë shqiptarëve

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha uroi dje të gjithë shqiptarët me rastin e lëvizjes pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, vendim i cili hyri në fuqi në orët e para të ditës së djeshme. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha iu referua hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave, duke theksuar asnjë komb tjetër nuk e pret më me gëzim dhe me më kënaqësi sesa Shqipëria këtë ditë të shënuar. 15 dhjetori, tha kryeministri, do të mbetet në memorien e çdo shqiptari si një nga ditët më të rëndësishme të lirive, të drejtave dhe dinjitetit tonë.
“Gëzuar të gjithë shqiptarëve”, nisi përshëndetjen e tij Berisha, duke shtuar se kjo është arritja me e merituar e qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë sakrifikuar, vuajtur për lëvizjen e lirë, për shkak të rrethanave të tyre, më shumë se çdo komb tjetër në Europë.
“Aq sa janë ekzekutuar në mbi 25 vjet ekzistencë të murit të Berlinit, janë ekzekutuar të rinj e të reja në kufijtë e Shqipërisë, vetëm nga janari i vitit ‘90 gjer në dhjetorin e vitit ‘90, pasi u hoq edhe neni për tradhti të lartë për largim nga vendi. Asnjë komb tjetër nuk e pret më me gëzim e kënaqësi këtë ditë, pasi vetëm 20 vite më parë, ne ishim njerëzit e lëvizjes me jashtë pothuaj totalisht të ndaluar. Shumë të paktë ishin shqiptarët që kishin mundësi të udhëtonin për detyrën ose arsye tjetër. Kloni, teli me gjemba dhe bunkeri ishte simboli i asaj që ne ishim”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë shprehu një falënderim të veçantë për të gjitha institucionet shtetërore që kontribuuan në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm nga ana e Bashkimit Evropian. “Të falënderojmë me shumë mirënjohje të gjithë ata, punonjës të administratës shtetërore, institucioneve të këtij shteti, që me punën dhe përkushtimin e tyre ia dolën të zbatojnë me sukses një tërësi reformash, me të cilat u shemb çdo paragjykim ndaj shqiptarëve, me të cilat u bë i mundur vendimi për heqjen e vizave”, tha Berisha, duke shtuar se për këtë u bënë përpjekjet më të ndershme, të gjitha reformat ishin konkrete e të suksesshme.
“Në qoftë se ka një vend që nuk e mori këtë vendim as për dhuratë e as për favor, është Shqipëria. Ky ka qenë qëndrimi ynë. Ne nuk e kemi quid pro qua. Ne duam të vlerësohemi mbi bazën e performancës sonë, vetëm të na thuhet se çfarë nuk është bërë që nuk e meritojmë, absolutisht, ky ka qenë qëndrimi dhe gjuha jonë në të gjitha takimet. Përfaqësuesit e Komisionit kanë ardhur i kanë konstatuar, i kanë testuar, verifikuar dhe kanë bërë vlerësimin më pozitiv”, tha kryeministri.
Për të dëshmuar rëndësinë e kësaj dite kryeministri solli si shembull një histori personale të një nëne 70 vjeçare, e cila rezulton të jetë dhe shtetasja e parë shqiptare që ka kaluar kufirin, pa viza drejt shtetit fqinj Greqisë.
“Kjo ishte një nënë 70 vjeçare. I biri i saj, me dokumente të rregullta, kishte ardhur nga Greqia dhe pritën që së bashku, nga ora 11.00, duke përfituar nga ndryshimi i orës me Greqinë, të shkonte në shtëpinë e të birit, Isuf Maleshka. Por ajo që e bëri për mua dy herë më prekëse ishte se kjo zonjë e nderuar mbante emrin e nënës sime. Dhe e kuptoni, në atë moment, kur mësova edhe emrin e saj, ndjeva një gëzim të dyfishtë. Kur më thanë se ishte zonja Sheqere, nënat vetëm ëmbëlsi kanë, ishte një gëzim i pa përshkruar tek unë. Unë i uroj kësaj nëne gjithë të mirat dhe u gëzova shumë që ishte një nënë, ajo që kaloi e para dhe shkoi drejt nipave e familjes së vet për t’u çmallur. Malli i nënave është shumë i madh, është i pakufishëm dhe tani, ato do të kenë mundësi të çmallen, të përkëdhelin, të përqafojnë, të derdhin të gjithë dashurinë e tyre tek njerëzit më të dashur, të cilët kanë vite që nuk i kanë parë. Ishte shumë simbolike që një nënë, me pasaportë biometrike, kaloi e para kufirin pa vizë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri kujtoi se kjo vendimmarrje krahas angazhimit të qeverisë, duhej të tejkalonte skepticizmin e shumë vendeve europiane që nxitej dhe nga një fushatë dis-informuese e opozitës shqiptare. Berisha akuzoi jo për
herë të parë liderin socialist se përdori çdo mjet për të penguar liberalizimin e vizave. “Dua ta kemi të qartë nuk është se nuk ka pasur paragjykime dhe jo të pabazuara, jo të ngritura mbi baza të paqena, sepse ne kemi pasur eksode, nga zyrat kryesore të opozitës qarkonin fakset se eksode të reja prisni, se me këtë vendim, 800 mijë deri në 1 milion shqiptarë do të dynden në Europë, se ata, të cilët prej vitesh vuajnë dënimin në  burgje, do të kthehen të vijnë tek ju. Pra, përpiqeshin të bënin që njerëzi të imagjinonin skena horror nga shqiptarët, të zgjonin çdo lloj instinkti racist antishqiptar, që nuk është se nuk ekzistojnë”, vërejti kryeministri.
Duke theksuar se një nga mjetet e opozitës për të bllokuar liberalizimin e vizave ishin protestat me sloganet “Hap kutitë, çliro vizat” dhe e ashtuquajtura grevë urie.
“Nuk mund të harrohet se ata, të cilët bënë çdo gjë për të futur vizat në kuti, vendosën çadrat para kryeministrisë dhe parlamentit, në momentin më kulmor, kur merrej vendimi dhe filluan grevën e urisë, të ashtuquajtur grevë urie, se absolutisht as edhe një ditë të vetme, gjithçka në patronazhin e Kryeministrit, i cili largohej nga zyra në 2 të natës, gjer sa bënte kontrollin e fundit Fatmir Xhafa me fener. Pasi vinin picat e me radhë, atëherë largohesha e shkoja i qetë në shtëpinë time. Por të gjitha këto bëheshin për të bllokuar vizat. Mund t’u bëni një kontroll arkivave tuaja dhe të ri-shihni logon “Hap kutitë, çliro vizat”, pasi mendonte se vizat janë ndry në kuti. Për këtë, u thoshte shqiptarëve se vizat do t’jua ndryjmë në kuti. Ky ishte morali i saj”, deklaroi Berisha.

70 vjeçarja Sheqere Malecka, e para shqiptare që preku zonën “Schengen”
E para shqiptare që preku tokën e zonës “Schengen” ishte 70 vjeçarja Sheqere Malecka. Ka kaluar në pikën doganore të Kapshticës, rreth orës 23.00, ose 24.00 me orën lokale të Greqisë, duke zënë në befasi edhe mediat që kërkuan të filmonin momentet e para të kalimit pa viza të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian.
Të tjerë e pasuan atë sapo ora shënoi fillimin e datës 15 dhjetor.
Deri në orët e para të mëngjesit nga kjo pikë kufitare kaluan drejt Greqisë mbi 110 persona.
Don Preka dhe Orsela Paluçi janë të parët që menjëherë pas mesnate lanë portin e Durrësit për të shkuar drejt Italisë  Padurim, por dhe një emocion i veçantë për kalimin pa vizë në një vend të Bashkimit Europian. Një procedurë që zgjat vetëm pak minuta dhe ajo që mbetet është një urim për të këtë ditë të shënuar. Nikollë Rama, 81 vjeç nga Shkodra kaloi i pari traun e doganës së Kakavijës
Mungesa e siguracionit për jetën bëri që pak persona ta shtyjnë udhëtimin për në orët e para të mëngjesit. Kalimi pa viza në vendet e hapësirës “Schengen” ka vijuar edhe gjatë paradites në të gjitha pikat kufitare. Kalimi nga Kakavija u shoqërua me vonesa për shkak të grevës së doganierëve vendas, dhe problemeve me garancinë apo siguracionin shëndetësor të udhëtarëve. Mjaft prenotime edhe për linjat e trageteve Durrës - Brindizi dhe Bari Vlorë. Për shkak të fluksit lartë të hyrje-daljeve në pikat kufitare është shtuar personeli i kontrollit të pasaportave dhe sigurisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›