Shqiptarët, më joreligjiozët në Ballkan
Në Shqipëri dëgjojmë shpesh përqindje besimesh, ose më saktë përqindjet që zënë fetë, pasi jo gjithmonë mund të vihet shenja e barazisë mes besimit dhe fesë. Por, Shqipëria në fakt është një vend ku besimi dhe feja zënë shumë pak vend.
Gazetari Agustin Palokaj shkruan se, bazuar në një anketë nga Gallup Europe vitin e shkuar, kosovarët kanë dalë të jenë qytetarët më religjiozë në Ballkan. Në pyetjen se a ka ndikim feja në jetën tuaj të përditshme rreth 90% e kosovarëve janë përgjigjur pozitivisht. Me të njëjtën anketë qytetarët më joreligjiozë kanë dalë të jenë ata të Shqipërisë dhe të Kroacisë.
Siç duket, përqindjet që ekzistojnë prej vitesh për fetë, duket se paskan shumë vlerë.
Në Kosovë ndërkohë situate është krejt ndryshe dhe feja ka hedhur rrënjë të thellë.
Ndonëse në Kosovë shpesh dëgjohet pohimi se feja nuk ka rëndësi dhe se kombi është mbi të gjitha, një konstatim i tillë është vështirë për tu konfirmuar dhe kohëve të fundit është duke u sfiduar. Me motive fetare sot në Kosovë sulmohen edhe figurat më të rëndësishme të historisë kombëtare, thotë Palokaj.
Nuk ka temë e cila nxit më shumë kureshtje të lexuesve në Kosovë sesa ato që lidhem me fenë. Vetëm shikoni ueb faqet e mediave në Kosovë dhe krahasoni numrin e lexuesve dhe komentuesve. As kallja e kufirit në veri, as papunësia më e madhe në Evropë, as sporti e madje as kabllot e ambasadorëve amerikanë nuk zgjojnë as përafërsisht interesim te qytetarët e Kosovës sesa temat e lidhura me fenë. Edhe në bisedat private në Kosovë pak minuta kalojnë pa ardhur deri te tema e fesë, vazhdon më tej Palokaj.