Rugova i përjetshëm

Misionari nuk vdes. Ai, si orakull, predikon
për misionin, bashkon grigjën rreth idesë së shenjtë të misionit dhe shkon në
Përjetësi, duke lënë pas vete shpirtin, frymën e misionit, që enden si
shkëndija udhërrëfyese për breza të tëra
Ndue
Ukaj*
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, iku, në
një janar të akullt, në një janar që i ngrinte lotët e shumtë që vërshonin
rrugëve të Prishtinës dhe kudo kishte shqiptar.
Ai iku, mirëpo la pas shumë, mbase më shumë se
çdo politikan, sepse ai më së paku ishte politikan.
Ai ishte një humanist i pashembullt, i prirur
nga idetë me sublime të etikës dhe politikës, të cilat i sintetizoi drejt një
ideali sublim, që kapërcente kufijtë e pavarësisë dhe rikthente shqiptarët në
shtratin e tyre natyral perëndimor, pa ekuivokë e interpretime dashakeqe.
Rugova ishte një artist i mirëfilltë, i cili njohu eksperiencat më të
sofistikuara të artit botëror e shqiptar. Rugova ishte një moralist i madh, sa
për shumëçka tejkalonte edhe vetë predikatoret e ndryshëm religjioz.
Ai ishte një filozof, i cili fjalën e latonte
aq mirë, sa brenda saj shtresoheshin shumë domethënie, që bota për rreth tij
vështirë i kuptonte. Rugova ishte një studiues i jashtëzakonshëm, i traditës
dhe i modernes, i pakompromis me dukuritë degraduese në art e letërsi- një
studiues që letërsisë sonë i mungon edhe sot.
Dhe pra, ai ishte një politikan karizmatik, që
këtij domeni kaq shumë të urryer ndër shqiptar, i dha dimension tjetër, duke e
përmbush me shpirtin e fisëm të thellësive filozofike e letrare, etike e
nacionale.
Kësisoj, u bë përjetësisht një Ikonë
Kombëtare.
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugov iku, e
mori një janar i akullt, një janar i trishtë, mirëpo shpirti i tij jeton e do
të jetojë përjetësisht. Ndërkaq, ata lotët e ngrirë para katër vite, ende
pikojnë nga sytë e mërzitur të shqiptarëve, që e deshën dhe e duan aq shumë.
Dhe sot, në janarin e akullt, të përvjetorit të katërt të ikjes së tij fizike
nga kjo botë, shpirti i tij, mençuria dhe virtytet e tija, rrezatojnë
triumfalisht mbi botën vobektë politike shqiptare, tamam si Ylli i përjetësisë
Biblike, ai ylli i Davidit, të cilin e mishëroi në flamurin e tij shumë
domethënës, si shenjë e shënjues të shtetësisë dhe ardhmërisë së Kosovës dhe
shqiptarëve. E, të cilin flamur e përbuzën ca injorantë.
Ibrahim Rugova, emri i përveçëm i politikës
dhe kulturës shqiptare, kishte tiparet e misionarëve të mëdhenj të njerëzimit,
të atyre që lënë gjurmë e përjetësojnë kohët.
Puna dhe veprimtaria e Rugovës, i ngjason aq
shumë profetit Biblik, Moisiut.
Sikurse ai, edhe Rugova e nxori popullin e tij
nga kthetrat sllave, por nuk e përjetoi pavarësinë, atë tokë të premtuar, për
të cilën bëri shumë, aq shumë sa do të duhen kohë për ta njohur thelbësisht.
Kjo për faktin, sepse ai ishte i frymëzuar nga
parime profetike. Kishte diçka profetike në qenien e tij, në fjalët e tija, që
tingëllonin si kambana alarmuese për një botë të tërë, që bënte heshtje karshi
çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve.
Fjalët e tij, si gurë të çmuar e xhevahire të
shtrenjta, tingëllonin si njato kambanat e panjohura, që përhapin lajme të
kobshme. Dhe kështu, përçoi çdo kund ku duhej, mesazhin e fuqishëm, të
pakundërshtueshëm, as nga fuqitë më të mëdha të tokës, se po shkelej mbi
Dardaninë antike, po diskriminohej e vritej popull i Shën Florit dhe Laurit, i
Gjergj Kastriotit dhe Pjetër Bogdanit, i Nënë Terezës dhe i shumë e shumë
figurave që kishin lënë gjurmë në qytetërimin perëndimor, prej së cilit,
shqiptarët ishin përjashtuar padrejtësisht.
Rugova kishte dy misione jetësore, të liroi
popullin e tij nga kthetrat e Serbisë dhe ta rikthej atje ku duhej, në shtratin
perëndimor, me gjitha tiparet autentike shqiptare, duke tund, njëherësh, gjitha
shtresimet që i ishin mveshun padrejtësisht. Për këtë, ai krijoi, si askush,
marrëdhënie me aleatët e të madhit Gjergj Kastriotit-filozofi kjo të cilën ai e
ndoqi në çdo hap të jetës së tij.
Kosova, shqiptarët dhe bota e moderuar, para katër vite nuk e humbën vetëm një
lider të thjeshtë. Sepse kjo ishte humbje e prijësit, misionar dhe ideatori i
gjitha ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Kosovë dhe më gjerë.
Kjo ishte humbje e njeriut që ndikoi në
ndryshimin e relacioneve politike në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Filozofia e tij politike, ishte diçka magjike, sidomos për botën perëndimore, e
cila dridhmohej nga magjia e filozofisë paqësore, që dilte nga një rajon i
stërmbushur me urrejtje, luftëra, krime.
Me dhuntitë e pashembullta, ai doli kundrejt
një politike vrasëse, që prodhonte vetëm shkatërrime dhe dhunë, duke ndërtuar
një shtet paralel brenda një regjimi të çmendur. Dhe kështu, ngazëlleu zemrat e
botës, e të sa e sa prijësve politikë, të kombeve të mëdha, që i dolën zot
kombit të tij, ashtu sikurse deshi ai.
Është kjo magjia e fuqisë së paqes, e fuqisë
së besimit, e fuqisë së drejtësisë, një magji e tipit Promethean, të cilën diti
ta jetësoi një njeri si Ai. Po ashtu, kjo fuqi dëshmoi se sa të pafuqishme janë
pengesat ndërkombëtare, kur ishte në pyetje domosdoja e mbrojtjes së Kosovës.
Bota e tëra u rreshtua pas misionit të tij të përcaktuar jetësor.
Kalimi i tij i shpejt nga kjo jetë, për tu bashkuar me të dashurit e tij, që
aq shumë i mbante në gojë, si Gjergj Kastriotin, Pjetër Bogdanin, Gjon Palin e
Dytë, Nënë Terezën, ishte një shenjë e përjetësimit të profetit e heroit, që
kryen punën dhe ikën.
Po a nuk është ky fat i gjithë heronjve të mëdhenj!?
Si prodhim i filozofisë, urtësisë dhe strategjisë së tij, Kosova sot është
shtet i pavarur, ndërkaq sendërtimi i idealeve të tij, është bërë, por pa të.
Mirëpo, është një dëshmi e fortë se puna dhe vepra e tij po përjetësohen, kudo
ka shqiptar, ai nderohet me pietetin më të lartë, jo vetëm si nderohen
politikanët.
Ai është përjetësuar në art e kulturë, duke u
bërë, tamam hero i Kosovës së djeshme, i Kosovës së sotme dhe sidomos hero i
Kosovës së dëshirave të nesërme.
Dr. Ibrahim Rugova ishte dhe do të mbetet ideator i një politikë moderne, jo
vetëm shqiptare, por universale. Mjafton të riciklojmë në strategjinë e tij
brilante, Kosova e Pavarur, Integrim në Strukturat Euroatlantike dhe Miqësi
permanente me SHBA-të.
Me urtësinë e tij, ai në çdo takim me rëndësi,
në çdo fjalim, fjalët i ruante si visare të çmueshme dhe përshëndeste miqtë e
liderët botëror, që nga SHBA-të deri të Vatikani. Një vizion, që edhe nëpër
shekuj duhet të ndiqet.
Presidenti Ibrahim Rugova nuk ishte, dhe nuk do të mbetet në kujtesën tonë
kombëtare e botërore, vetëm si lider i përmasave të thjeshta politike, të tillë
që bota ka shumë. Në panteonin e vlerave të mëdha, figura e tij mbetet, mbi të
gjitha, me dimensionet e një mendimtar të madh, që politikë si dha dije, ide,
filozofi e kulturë.
Ai e krijoi një model kulturor të
jashtëzakonshëm, admirues për gjithë botën e përparuar. Së këndejmi, ai do të
mbahet mend si një iluminist që mishëroi dimensionet etike me ato politike, një
personalitet me shpirt të gjerë dhe human, një dijetar i madhe i shkencave
shoqërore dhe një kritikë letrar me dije enciklopedike, një shpirt rilindësi-
dhunti këto të cilat diti mrekullisht ti funksionalizojë, në të mirë të idesë
së demokracisë, lirisë, pavarësisë dhe integrimeve.
Në një beteje të rëndë, me sfida të
rrezikshme, Ibrahim Rugova niset me besimin e tij, si një forcë shtytëse, me
dijen e tij, si një pasuri, që i dha mundësi të argumentoi një kauzë, me
përcaktimin e tij të pa alternativë, si virtyt i pashoq që u admirua nga gjithë
bota e civilizuar.
Janë këto virtyte dhe vlera kolosale që këtij njeriu i japin përmasa
universale.
Në një rrugëtim të gjatë, Ibrahim Rugova u nis
tamam si prijës, misionar e profetë. Me urtësinë sokratiane, me dashurinë për
atdheun, të frymëzuar nga modeli e ati i tij shpirtëror, Pjetër Bogdani, së
cilit ja kushtoj një pjesë të punës intelektuale; i frymëzuar nga vlerat e
filozofisë jodhunore të njohura në Botë, Rugova u bë Ikona e Shqiptarëve dhe e
botës së përparuar në këto dy dekada.
Duke qenë krenar se i përkiste atdh