Shqiptarët myslimanë që shpëtojnë hebrenjtë e SHOAH, në fokus të ekspozitës në Bolonja
Në 24 janar, u prezantuan në Muzeun Hebraik të Bolonjës (në përkujtim të datës 27 janar, ditës që përkon me çlirimin e kampit të Aushvic-it nga forcat ruse dhe çlirimit përfundimtar të Hebrenjve nga nazistët), foto dhe dëshmi të mbledhura nga fotografi Hebreo-amerikan, z. Norman Gershman, që për pesë vjet udhëtoi nëpër Shqipëri, duke grumbulluar materiale të rëndësishme që kanë të bëjnë me shpëtimin e hebrenjve, dëshmi të dokumentuara
mes fotografive të dëshmitarëve dhe njerëzve të shpëtuar. Në aktivitet nga pala shqiptare mori pjesë zv/ministrja e TKRS-së znj. Suzana Turku si dhe Ambasadori ynë në Itali z. Llesh Kola. Zv/ministrja Turku u shpreh se: Unë jam këtu për të konfirmuar një shenjë nderi të popullit tim, të falënderoj z. Greishman për respektin, për punën e kujdesshme në konceptimin e qartë të vlerës njerëzore, e cila ka lidhje me kurajën njerëzore. Si përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës e njoh atë pjesë të kulturës së njerëzve të mi, njoh mikpritjen, besën, fjalën e dhënë, kode që i dallojnë shqiptarët, por sot vij për t'ju rrëfyer mirënjohjen ndaj punës së mjeshtrit Greishman. Ndër të tjera znj. Turku theksoi faktin se besa, është një kod nderi që i kalon kufijtë e Shqipërisë. Besoj se më shumë ka fituar vendi im nga bashkëjetesa me hebrenjtë. Falënderimi im le të jetë shenjë mirënjohje për kulturën e tyre të lashtë, për patriotizmin e tyre të rrallë dhe për kurajën njerëzore e cila e bën njeriun e thjeshtë hero, pa kryer një akt madhor. Ndërsa presidenti i komunitetit Hebraik të Bolonjës z.Guido Ottolenghi falënderoi zv/ministren Turku për pjesëmarrjen dhe shtoi se:si President i Komunitetit Hebraik jam i nderuar që kjo ekspozitë për këtë datë promemorie për popullin Hebre të çelej në Bolonjë. Hebrenjtë dhe shqiptarët një lidhje që i mbrojti nga revanshi gjerman dhe internimi në Aushvic bën pjesë tashmë në kujtesën e popujve. Kjo mikpritje ka marrë vlerësim përtej kufijve duke e renditur popullin tonë përkrah mbështetësve dhe mbrojtësve të shumë personave madje edhe familjeve që gjetën strehë duke i shpëtuar vdekjes së sigurt. Populli shqiptar ruajti integritetin e tij dhe çështja e hebrenjve u cilësua si një çështje e brendshme. Shumë vite pas, ende familjet shqiptare ruajnë kujtimet, kanë marrë vlerësimet dhe madje mirënjohjen e atyre që shpëtuan nën mbrojtjen e shqiptarëve. Nuk janë shumë, madje me certifikatën e mirënjohjes Të drejtë midis popujve. Një prej këtyre familjeve është familja Nosi në Elbasan. Nipi i kësaj familjes Skënder Kosturi sjell kujtimet e nënës së tij Adelinës, e cila u nda nga jeta pak kohë më parë. Në këtë familje ka jetuar një hebre, Marko Manehami, i cili nëpërmjet një letre ka treguar historinë e tij, por edhe vlerësimin për familjen Nosi që e mbajti dhe e mbrojti në çdo rast. Një tjetër rast i njohur për strehimin e hebrenjve është familja Biçaku nga Qarrishta e Librazhdit. Nga kjo familje nuk kanë mbetur dëshmitarë, pasi shumica prej tyre emigruan në mundësinë e parë drejt Amerikës apo vendeve të tjera.
Last Updated on E Merkure, 27 Janar 2010 20:07