E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët në Maqedoni dhe Republika e Kosovës



Disiplina politike nuk është me brirë. Është briri i politikës që kushtëzon me dhëmbë të shtrënguar nënshkrime marrëveshjesh që duan të frymojnë politikisht në Maqedoni.

Në pritje të njohjes së Republikës së Kosovës, marrëveshja VMRO-DMPNE - BDI është një marrëveshje e kushtëzuar, apo është një marrëveshje e një politike të “modernizuar” që në parim është mëse urtësi apo është një përmirësim gabimi nga e kaluara për të qenë në pushtet. Kjo nuk prish dhe nuk e rregullon balancën dhe funksionin e politikës së shqiptarëve në Maqedoni, por nxjerr në shesh “deklarimet e sinqerta” të politikanëve atje, nga pala shqiptare, tash nga pala koalitive e qeverisë së re atje.

Rrëmuja e shkaktuar politike, dhuna në pasqyrën e zgjedhjeve, kërcënimi se Maqedonia ka energji që edhe pa shqiptarë të formojë qeverinë e re, nuk janë as më shumë e as më pak se kushtëzime politike sikur që nuk është vënë në “diskutim” njohja e Republikës së Kosovës. Kjo është fuqia e shqiptarëve atje, kjo është barabarësia politike, kjo është modestia e një subjekti shqiptar atje që në përmirësim “standardi politik dhe evropian” nuk duhet përmendur sipas tyre politikën e shqiptarëve të Kosovës dhe shtetin e tyre. Është për t’u habitur se fqinjët e Kosovës, të gjithë po marrin poena politikë me Kosovën në fushata parazgjedhore dhe me formula politike pas tyre.

Kosova është e aftë të kuptojë dhe duhet kuptuar pozicionet e faktorit politik atje, por nuk pajtohet me normativa propaganduese të faktorit politik shqiptar atje për t’u “çirrur në patriotizëm” se në marrëveshjen e re politike të koalicionit duhet të figurojë njohja e shtetit të Kosovës. Kushtet politike janë rikujtim se Kosova me Maqedoninë nuk do mund të krijojë asnjë raport ndërshtetëror përderisa demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë është ende kontestues dhe shumë domethënës sepse mund të jetë një shkëndijëz e ndezur e herë-herë të duket aktive e herë-herë pasive, por me tendencë të ndezjes së raporteve mes dy shteteve. Marrëdhëniet politike të rregulluara, njohja e shtetit të Kosovës janë premisa kryesore që flasin për shumë stabilitet politik mes këtyre vendeve. Nga ana tjetër nëse nuk ndodh shpejt njohja e shtetit të Kosovës, tendencat për politikë të rrënuar demokratike janë të mëdha, faktori politik shqiptar bie edhe më shumë në grackë, lindin konflikte edhe më të ashpërsuara që prapë se prapë do ishte një rrezik i rajonit.

Po krahasojmë rrjedhat e jetës politike në të kaluarën para 1999-ës, kur Republika e Shqipërisë e njohu fillimisht Republikën e Kosovës, atë “Republikë kohe”, ishte sinjali se faktori politik i Kosovës ka një konsultim me shtetin amë dhe e cila u dëshmua edhe me vepër, edhe me relacione politike dhe bashkëpunimi dhe rinjohja e saj është fuqimisht as më pak e më shumë se një konsolidim i radhës i dy shteteve shqiptare. Mirëpo të gjitha këto u bënë pa zhurmë politike, edhe pse Shqipëria kritikohej atëbotë se po njeh një shtet apo provincë me tendencë segregacioni. Atdheu bëri punën e tij.

Në luftën e fundit të Maqedonisë, Kosova me një status të padefinuar, me probleme për nga rrjedhat politike të saj, mundohej nga faktori politik i kohës të bënte thirrje dhe përkrahje politike të mundshme derisa të jetësohej Marrëveshja e Ohrit. Tërë vëmendja ishte atje. Tash në vulgun e vlimit politik në Ballkan kur theksova marrjen e poenave politikë që po fitohen përmes Kosovës, po ripotencoj ashpërsinë e dialogut ndërshqiptar atje për një qeveri koalitive që nuk do e njohë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. D.m.th nga tërë kjo skenë e papjekurisë politike me këtë normativë dhune, doli se pushteti dhe politika e Maqedonisë është shumë më rigoroze sesa fqinjët e tjerë të Republikës së Kosovës.

Në tërë këtë marifet politik mbeti një dëshirë që të shihej se çka do të bënte sikur të fitonte PDSH-ja apo qeveria Gruevski do ishte ajo që do formonte koalicionin me këtë parti politike që edhe kjo nuk do sillej ndryshe sikur kjo që po bëhet tash. Forcën tjetër të politikës shqiptare atje të z. Mahmuti do e dyshojmë si diçka që lumja ajo që nuk iu dha rastri të formohet qeveri me atë, sepse edhe ajo do futej bashkë me BDI-në, PDSH-në në “gjynah” politik, sepse të njëjtë nuk do kishte edhe afinitetin e saj në njohje të Republikës së Kosovës.

Andaj me këso rrethanash del roli i egër i Maqedonisë në Ballkan, e cila potencon gabimisht se e njeh kohën se kur do njihet shteti i Kosovës, sepse kjo ka probleme me vet[en dhe me sllavizimin identik serb sesa që ka një konstruktivitet të saj për të pasur orientim politik evropian. Shqiptarët janë mëlmesa politike që u duhet të formohet qeveria e re, sepse kështu do ndiqet rruga herë me një partner shqiptar e herë me tjetrin të mos jetësohet kurrë Marrëveshja e Ohrit, sepse variacionet koalitive janë vetëm prolongim i kësaj çështjeje, janë konsekuenca që destabilizojnë faktorin politik shqiptar ndër veti e asgjë më shumë.

Për të mos u ndier keq politika shqiptare në Maqedoni, ju potencojmë se tashmë jemi shteti, jemi përkrahësit e vëllezërve tanë shqiptarë atje me të gjitha mundësitë politike të ndihmës, duke ju bërë edhe një thirrje se ju të bashkuar politikisht dhe jo të hasmuar deri në ekstrem, do jeni më të fortë për të ndikuar sinqertë në njohjen e shtetit të Kosovës që ka për të ndodhur një ditë patjetër nga IRJ e Maqedonisë...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›