Alibeaj: Spahiu ka tejkaluar kompetencat e nënkryetarit
Ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibej, cilëson si të dëmshme sjelljen e nënkryetarit, të cilën e ka cilësuar si protagonizëm politik dhe personalizim pushteti
Në Shqipëri, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj thotë se rrëzimi dje nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kërkesës së tij për verifikimin e ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës nga nënkryetari Kreshnik Spahiu ishte i gabuar. Duke folur për Zërin e Amerikës, ministri Alibeaj deklaron se kërkesa e tij kishte të bënte me faktin se nënkryetari Spahiu, sipas tij, ka shfaqur një protagonizëm politik duke krijuar situata të paqena konflikti dhe nuk ka të bëjë me çështjen e tre gjykatësve për të cilët është kërkuar procedim disiplinor. Procedimi ndaj tyre shpjegon ministri, ka nisur që prej 10 ditësh.
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj është i bindur se nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka tejkaluar kompetencat e tij duke shfaqur, sipas tij, një protagonizëm politik dhe një tendencë të personalizimit të pushtetit të këshillit i cili është një organ kolegjial. "Tendenca për të marrë autoritetin, pushtetin e gjithë anëtarëve të tjerë, për t’i trajtuar si një pjesë dytësore, kjo është sjellje politike, ky është protagonizëm politik, personalizim i pushtetit dhe kjo është e dëmshme".
Por a përbëjnë të gjitha këto pretendime një shkelje të ligjit dhe cili është ky ligj?
"Ligji parashikon tagrat e ushtrimit të detyrës nga nënkryetari. Nënkryetari merret vetëm me mbarëvajtjen e KLD-së, shpërndarjen e materialeve, përpilimin e vendimeve dhe vetëm kaq. Asnjë gjë tjetër. Nuk ka asnjë lloj pushteti mbi pjesën tjetër të anëtarësisë. Çdo tejkalim i këtyre tagrave është shkelje ligjore", - thotë zoti Alibeaj.
Por dje, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e rrëzuan kërkesën e tij për verifikimin e ushtrimit të detyrës sipas ligjit nga ana e nënkryetarit. Sipas njoftimit të Këshillit, anëtarët konstatuan mungesën e bazueshmërisë ligjore mbi verifikimin e ushtrimit të detyrës nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve, si dhe mos konsiderimin si shkelje të detyrës nga zëvendëskryetari i këtij Këshilli, të atyre veprimeve të pretenduara nga ministri i Drejtësisë.
Por ministri Alibeaj shpjegon se kërkesa e tij ishte e bazuar në nenin 9 dhe 10 të ligjit për Këshillin i cili parashikon një komision verifikimi në rastin e zgjedhjes së një anëtari, për pajtueshmërinë me detyrën dhe ushtrimin e detyrës në përputhje me ligjin. Kërkesa e tij u fut në rendin e ditës dhe sipas ministrit, votimi i kryer ishte i gabuar: "Presidenti e futi në rendin e ditës. Nga momenti që një kërkesë e tillë futet në rendin e ditës, ligji parashikon që procedura vazhdon në mënyrë automatike. Ngrihet komisioni i verifikimit prej tre anëtarësh të KLD-së, kryen një procedurë verifikimi, mbledh prova e informacione. Në fund nxjerr dhe një raport, bën dhe propozimin përkatës dhe ky propozim votohet nga e gjithë anëtarësia e KLD-së. Ajo që ndodhi dje ishte se anëtarësia votoi ligjin, pra rrëzoi ligjin, duke mos pranuar atë urdhërim ligjor që parashikon neni 9: ngritjen automatike. Ishte një votim, për mendimin tim, i gabuar ndoshta se ishte dhe rasti i parë që ndodh një kërkesë e tillë". Ministri sqaron gjithashtu se kërkesa e tij për nënkryetarin Spahiu nuk lidhej me çështjen e tre anëtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës për të cilët është propozuar procedim disiplinor pasi mendohet se në shkelje të ligjit i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit, drejtuesit të kompanisë shqiptare që vepronte në Gërdec, i cili ishte akuzuar më parë për kontrabandë. "Procedimi disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të një gjykate apeli ka filluar prej më se 10 ditësh dhe ka nisur me nënshkrimin e aktit të fillimit të procedimit disiplinor, siç ligji e thotë, nga ministri i Drejtësisë. Kjo është një procedim rutinë që ka nisur e do të vazhdojë deri në fund. Pra nuk ka të bëjë fare me procedimin disiplinor të këtyre gjyqtarëve apo çështjen konkrete", - deklaroi ministri. Megjithatë, situata nuk duket se do të kalojë në qetësi, ndonëse ministri i Drejtësisë thotë se me Këshillin nuk ka asnjë përplasje institucionesh në aspektin politik
////
Prokuroria:
Hoxhallari është fajtor për vdekjen e adoleshentes Matilda Petriti
Ekspertiza e bën fajtor mjekun Xhevahir Hoxhallari për vdekjen e 17-vjeçares nga Korça disa muaj më parë. Për këtë arsye mjeku në fjalë është shpallur i pandehur zyrtarisht nga organet e drejtësisë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se hetimet për mjekun në fjalë janë duke vazhduar, si dhe për dy mjekët e tjerë që bashkëpunuan me Hoxhallarin. Sipas ekspertëve, mjeku Hoxhallari ka kryer mjekim të pakujdesshëm për adoleshenten, Matilda Petriti, e cila ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare, pas hemorragjisë së madhe që iu shkaktua nga ndërhyrja kirurgjikale. Rasti i vdekjes se 17-vjeçares, disa kohë më parë shkaktoi një reagim të ashpër të familjarëve, të cilët kërkonin dënim të mjekut, duke e akuzuar atë për shkaktar të vdekjes së Matildës, ndërsa nga ana tjetër mjekët dolën në mbrojtje të kolegut të tyre, duke konfirmuar se rasti kishte qenë i ndërlikuar dhe se Hoxhallari nuk ishte përgjegjës për fatkeqësinë. Por pas një kohe të konsiderueshme për hetimet fillestare u arrit që mjeku të shpallej fajtor për veprimin e pakujdesshëm ndaj të resë Petriti disa muaj më parë.
Krimet e Rënda
Vera që konsumoi çifti në Golem përmbante 150 gr kokainë
Vdekja e çiftit në Golem e cila u cilësua nga prokuroria si aksidentale, akoma nuk ka një të vërtetë të pakundërshtueshme. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Renda bënë me dije ditën e djeshme se ekspertiza e verës që konsumoi çifti Rrumbullaku dhe Xibraku ka dalë me një rezultat përfundimtar, duke vërtetuar prezencën e kokainës në shishe. Gjithashtu, burimet detajuan se ekspertizat e kryera në laboratorin shkencor pranë Ministrisë së Brendshme provuan ekzistencën në shishen e verës 0.75 litra të një doze prej afro 150 gramë lënde narkotike e llojit kokainë. Po kështu, këto analiza u kanë shërbyer hetuesve të marrin në konsideratë pistën për një trafik të mundshëm narkotikësh, duke kërkuar origjinën e shishes së verës e vendin nga ka ardhur. Tomi Rrumbullaku dhe Diana Xibraku vdiqën nga toksikimi pas një dreke në një restorant në Golem janarin e 2008-ës. Dëshmitarët e vendngjarjes theksuan atëherë se Rrumbullaku, pasi kishte pire verë, ishte përpjekur që të fshihte shishen e verës dhe kjo qe një arsye tjetër që organi i akuzës të dyshonte për një trafikim lëndësh narkotike brenda shishes së verës.