Plazhi i Durrësit, uji dhe “kuçedra”
Plazhi i Durrësit padyshim që po sheh një numër të jashtëzakonshëm vizitorësh turistë nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, por dhe më gjerë. E gjitha kjo konvertohet padyshim në qarkullim të madh shumash financiare, të cilat investohen pikërisht në xhepat e qytetarëve të Durrësit, por edhe të pushteteve përkatëse politike! Shumica e këtyre vizitorëve nuk mund, veç se të vënë re zhvillimin e madh dhe të larmishëm të këtyre kilometrave bregdetarë, por kush ka mundësinë ta vizitojë plazhin e Durrësit dhe mban mend atë të dikurshmin, këtë zhvillim do të duhej ta quante padyshim marramendës. Aty ku kanë qenë kabinat e dikurshme të dërrasave, sot gjenden vila, pallate, rrugë asfalti, gjelbërim modest dhe padyshim shumë lëvizje njerëzish, të cilët prezantojnë përkatësi kryesisht shqiptare, të cilët kontribuojnë indirekt financiarisht për këtë zhvillim. Personalisht kam pasur mundësinë ta vëzhgoj këtë zhvillim prosperues të plazhit te Durrësit vit pas viti që nga koha kur plazhe me këto dimensione mund t’i shihnim vetëm në revistat që arrinin nga përtej detit. Në fakt, nuk mungojnë edhe shtetas italianë, grekë, gjermanë dhe të tjerë të cilët janë të lidhur me familje të ndryshme emigrantësh shqiptarë dhe vijnë për të parë plazhet nga atdheu i miqve, apo kolegëve të tyre. Edhe unë, duke dashur t’i kthej mikpritjen një kolegu të huaj, tek i cili kam bujtur për disa ditë pushimi, më lindi ideja ta ftoja të kalonte disa ditë pushimi në plazhin e Durrësit, ku kam mundësinë t’i ofroj mikpritje...
Uji, handikapi i vetëm i plazhit të Durrësit
Ky zhvillim padyshim është arritur kryesisht në sajë të iniciativës së lirë, e cila ka ndërtuar gjithë këtë bum ekonomik. Kontributin e tyre përkatës duhet ta kenë edhe pushtetet përkatëse (lokal dhe qendror) ndërsa rreth dhe midis këtyre ndërtimeve kemi asfalt dhe gjelbërim, pavarësisht problematikave të caktuara!
Por, për fat të keq kësaj panorame të mrekullueshme i shfaqet vetëm një element i munguar, i cili besoj nuk ka ndryshuar dhe ka zhvillim që nga ditët e para të këtij bumi kapitalist e deri më sot. Është pra furnizimi me ujë të standardizuar dhe i pijshëm, i cili arrin tek qytetari i vetëm në dyqanet e shumta dhe kurrë nga rubinetat e apartamenteve të pallateve, apo vilave luksoze. Që nga dita e parë e këtij zhvillimi deri më sot, milionat e vizitorëve kryesisht shqiptarë të Ballkanit që vijnë në plazhin e Durrësit, kur hapin rubinetat mund të përdorin vetëm ujë pusi, i cili është i kudondodhur nën rërën e këtyre plazheve! Ngjyra dhe era e rëndë e tij njollosin padyshim gjithë këtë mrekulli natyrore dhe zhvillim properues të përhapur me shpejtësi marramendëse dhe askush nuk mund të justifikojë këtë situatë absurde në lidhje me ujin e standardizuar, apo edhe të pijshëm. Ky duhet të jetë njëri nga shkaqet kryesore të faktit se në këto plazhe ka pak vizitorë të huaj, të cilëve po të mos ishte kjo situatë, do t’i shtohej edhe kolegu im i huaj dhe unë..
“Kuçedra”, ta ketë ndaluar ujin tek “burimi”?
Pyetja normale që të lind për rastin ka të bëjë me faktin se përderisa nëntoka e këtij bregdeti është e pasur me ujë, përse akoma në rubinetat e apartamenteve të pafund luksoze nuk rrjedh ujë i standardizuar dhe i pijshëm?! Përse këtyre qytetarëve nuk u shitet ujë i filtruar drejt e në rubinet, por vetëm në dyqane? Personalisht në lidhje me shkakun e kësaj situate absurde, ndërsa pyeta një nga qytetarët që jetojnë aty që nga lindja, mu përgjigj se ishte “kuçedra” që kishte zënë burimin dhe askush nuk kish mundur ta “vriste” atë akoma! Në fakt, fabula e vjetër e “kuçedrës që kish zënë burimin e ujit” dhe i linte njerëzit të vuanin duket origjinale në mënyrën e saj moderne në plazhin e Durrësit. Kjo situatë nuk ka justifikim tjetër që mund të jetë i pranueshëm, përveç mos dëshirës, apo abuzimeve të caktuara! Praktikisht mjafton t’u lihet mundësia ligjore privative (që kanë kontributin kryesor në këtë zhvillim marramendës) të ndërmarrin hapat e caktuara dhe ta shfrytëzojnë këtë hapësirë biznesi e t’u çojnë ujë të pastër dhe të pijshëm qytetarëve në rubinetat e tyre. Sigurisht, pa marrë përsipër të gjej fajtorët kryesorë ligjor të mbijetesës absurde të “kuçedrës” në plazhin e Durrësit, më duhet të kujtoj që parimisht përgjegjësinë politike duhet ta ketë e majta, e cila prej dy palë zgjedhjesh lokale qeveris pa ndërprerje dhe s’ka bërë të mundur t’u dërgoj ujë të standardizuar qytetarëve në rubineta! Parimisht qytetarët e këtyre zonave të mrekullueshme duhet që të mos votojnë më asnjë që lejon mbijetesën e “kuçedrave” të tilla dhe nuk ofron politikë-bërje që jep hapësira ligjorë për të shitur ujin të pastër dhe të pijshëm në rubineta. Nëse nuk e kanë kuptuar kaq gjë të thjeshtë padyshim që e meritojnë këtë absurditet. Ne të tjerëve do të na duhet të zgjedhim vetëm Jugun, apo të shkojmë jashtë për të kaluar pushimet dhe të shpenzojmë kursimet tona.