E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa shpejt harrojmë!



Më 2 korrik të vitit 2008, vitin e parë të Kosovës së mëvetësishme, është dashur të dridhet jo vetëm Prishtina, por edhe qytetet e tjera të shtetit të ri, është dashur të festohet, sepse askush nuk na ka penguar, ne e kemi festuar edhe në situata shumë të rënda.

Kur të tjerët afër nesh (në fqinjësi) apo larg nesh ngjarjet i shpifin dhe i shpikin vetëm e vetëm të krijojnë përshtypjen e traditës, të shtetësisë dhe të pasurisë së tyre kombëtare, ne ngjarjet me rëndësi kombëtare e shtetërore i harrojmë apo i kalojmë me noshalancë e shkujdesje të pafalshme. Kur serbët, bie fjala, nga hiçi bëjnë mite, nga ngjarjet e paqena krijojnë karnavale, ne i shajmë, pse po shpikin ngjarje të paqena e data historike që nuk kanë ekzistuar, së bashku me heronjtë që nuk janë fare të tyre, por ngjarjet tona kombëtare as që na kujtohet se duhet t’i festojmë. Ndërkaq, heronjtë e këtyre ngjarjeve apo të paktën ata që morën pjesë në këto ngjarje do të duhej t’i lavdërojmë (pse jo, edhe t’u thurim himne, nëse e meritojnë një gjë të këtillë, në vend se të shpifim heronj), në mënyrë që t’u tregojmë të tjerëve dhe vetes se bëmë përpjekje shumë më herët, se lufta jonë për pavarësi e bashkim nuk rreshti asnjëherë, se historia jonë nuk filloi as me UNIMIK-un, as me vitin 1999, por shumë, shumë më herët. Luftë për bashkim patëm më 1912, luftë për të njëjtin ideal patëm edhe më vonë, por është çështje tjetër se nuk ia arritëm qëllimit, sepse nuk patëm fat t’i koordinojmë veprimet në mes vete, por edhe me aleatët tanë që i patëm të pakët ose që nuk i patën fare, sepse nuk arritëm t’i bëjmë.

Përvjetorët duhet t’i kujtojmë, sepse brezat e tashëm dhe ata që do të vijnë duhet ta kenë informacionin e nevojshëm për kombin e tyre, për përpjekjet e paraardhësve të tyre, për sukseset dhe për dështimet e tyre pa teprime, por as pa i fshehur gjërat dhe që ta çmojnë e ta duan edhe më shumë lirinë që e kanë sot e nuk e kishin dje, që nuk e kishim as para dhjetë vjetësh, bie fjala.

Përvjetorët duhet t’i festojmë, sepse shumë breza e shumë njerëz sakrifikuan për këtë copë toke, që po e quajmë atdhe, që po betohemi në të, që po i bien në qafë edhe njerëzit e hurit e të litarit. Por “nga e thëna në të bërë, është një mal, a një det i tërë”, thotë një fjalë e urtë. Në euforinë tonë të përgjithshme, në kalkulimet politike, por edhe në neglizhencën e pafalshme që duket se po na ndjek si mallkim, ne harrojmë. Harrojmë dhe sërish i kapërcejmë ngjarjet, neglizhojmë datat, e shpërfillim historinë e re e të vjetër, i mbyllim sytë dhe shtihemi se nuk gabuam asgjë apo se gabuam pa dashje.

Disa mendojnë se çdo gjë filloi me ta, mjafton se e shkrepën një pushkë, të tjerëve nuk u bëjnë përshtypje këto gjëra, pra shënimi i datave e ngjarjeve me rëndësi, meqë janë tepër të zënë me mjeljen e fondeve institucionale e atyre ndërkombëtare, prandaj nuk duan ta prishin me askënd, punë e madhe pse nuk festohet si duhet ndonjë korrik me vapë të padurueshme (mjafton që ata të mrizojnë diku nën hije) apo ndonjë ngjarje e rëndësishme për Kosovën. Shembulli më i ri - 2 Korriku, Dita e Deklaratës së Pavarësisë, ditës kur më në fund deputetët e ish-Kuvendit të Kosovës u përcaktuan se duan të jetojnë në mënyrë të mëvetësishme, se nuk e pranojnë okupimin e askujt, se nuk e pranojnë “bashkëjetesën” në emër të vëllazërim-bashkimit me Serbinë, se kjo “bashkëjetesë” është e dhunshme, e përgjakshme dhe që nuk ka asnjë të ardhme, sepse është kundër vullnetit të shumicës absolute të shqiptarëve të Kosovës, të cilët po ashtu janë shumica absolute e popullatës së këtij vendi.

Më kujtohet si sot se me çfarë euforie e emocionesh u prit kjo ngjarje e shënuar, më kujtohet po ashtu se me çfarë tërbimi e indinjate e pritën këtë ngjarje serbët dhe Serbia, që shkumëzonin si të çartur dhe që akuzonin djathtas e majtas, duke mos e pranuar këtë deklaratë. Dhe pastaj filloi një ndëshkim i paparë, një ndjekje shtrigash. Natyrisht kjo gjë pritej dhe ishte fillimi i shthurjes së ish-Jugosllavisë së dhunshme, shthurje kjo që çdo herë është paralajmëruar dhe ka krisur së pari në Kosovë; sepse Kosova ishte e shartuar dhunshëm në krijesën e Versajës; sepse shqiptarët nuk u takonin sllavëve të jugut; sepse të qenit nën një shtet të shqiptarëve me sllavët ishte diç që s’bëhet, anakronike e që nuk shkonte në asnjë mënyrë, sepse shqiptarët nuk ishin deklaruar se duan të jetojnë me serbët, kroatët, sllovenët, maqedonasit ose me ndonjë komb tjetër sllav.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut u prit me interesim të jashtëzakonshëm edhe në Perëndim, sepse shqiptarët dhanë sinjale të qarta se duan shtet të pavarur e sovran, se duan ndihmën e perëndimorëve, e sidomos të SHBA-së për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga tutela e serbit.

Deklarata e Pavarësisë është njëri nga elementet e shtetësisë dhe njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës e jo vetëm të Kosovës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi në ish-Jugosllavi, sepse atëbotë të gjithë shqiptarët e kësaj hapësire e konsideronin dhe e vlerësojnë edhe sot Prishtinën qendrën - strumbullarin e tyre kombëtar e rrezatues; është çështje tjetër që ne, përkatësisht zyrtarët tanë, pak si me turp po tërhiqemi nga ky detyrim dhe nga kjo gjë që duhet ta kenë vath në vesh.

Atëbotë 2 Korriku qe pritur krejtësisht ndryshe, sot pas 17 vjetësh i kemi harruar gjërat, atmosferën e kohës, jehonën e kësaj ngjarjeje, për dikë është zvetënuar krejtësisht kjo datë. Ndërkaq, do të duhej të ishte e kundërta: Më 2 korrik të vitit 2008, vitin e parë të Kosovës së mëvetësishme, është dashur të dridhet jo vetëm Prishtina, por edhe qytetet e tjera të shtetit të ri, është dashur të festohet, sepse askush nuk na ka penguar, ne e kemi festuar edhe në situata shumë të rënda, por atëherë e kishim idealin, e kishim dëshirën për shtete e për pavarësi, tash shumë shpejt dhe shumë herët gjërat po zvetënohen, kam frikë (sa shumë kam frikë) se gjërat si po shkojnë, do të degjenerojnë në një dëshpërim. Se si po ia bëjmë hyzmetin, nuk është për t’u thënë njerëzve e institucioneve: “Ju lumtë!” Nuk mund t’u thuhet “ju lumtë!” as me neglizhimin e një ngjarjeje, sepse kështu do të anashkalohen edhe ngjarjet e tjera, njëra pas tjetrës. Do të festohen vetëm ato ngjarje nga të cilat mund të përfitojnë tarafet politike e grupimet e interesit, por jo kombi dhe shteti.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›