E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një gjigand që flet vetë!



Raporti më i fundit i Bankës Botërore, ndër të tjera cilëson se lidhur me treguesit botërorë të qeverisjes, vërehet se qeveritë e shumë vendeve në zhvillim po bëjnë hapa të rëndësishëm përpara. Treguesit konfirmojnë se aty ku ka një përkushtim për reformën, përmirësimet e performancës qeverisëse janë tërësisht të mundshme.

Në analizën për Shqipërinë, për harkun kohor 1998 - 2007, rezulton se në vitin e fundit janë bërë përmirësime të vazhdueshme në të gjashtë treguesit e qeverisjes, me arritje më të mëdha në cilësinë rregullatore (që arrin 56%), lirinë e fjalës dhe përgjegjshmërinë, e renditur tashmë në 50% të vendeve të para. Edhe treguesi i stabilitetit politik në vitin 2007 shënon përmirësime të dukshme, duke lënë prapa tashmë 34.6% të vendeve të tjera. Efikasiteti i qeverisë, me një përmirësim gradual, që arrin në 43% pe 2007-ën. Përmirësimi është parë edhe tek kontrolli i korrupsionit, ku Shqipëria kapërcen nga 20% tek 37% për vitet 2006 deri 2007.

Edhe revista “Forbes” e klasifikon Shqipërinë si një nga vendet më të mira për zhvillimin e biznesit.

Të gjitha këto sinjale pozitive na bëjnë të reflektojmë dhe më tej për arritjet, por dhe për probleme e vështirësi, si dhe për atë që ende nuk është realizuar. Pa dyshim, përmirësimi i performancës qeverisëse reflektohet ndjeshëm dhe në shifra buxhetore, në një grumbullim dhe miradministrim të fondeve publike.

Rritjet e ndjeshme buxhetore përkthehen në më shumë investime dhe në përmirësimin e standardit të jetesës.

Askush s’mohon dot faktin se prioriteti i qartë i qeverisë Berisha për investime në infrastrukturë, investime në rrugë, ujësjellës e kanalizime, preket gjerësisht anembanë vendit, në akset kryesore, por edhe dytësore apo intrakomunitare të lëvizjes.

Në parametra kolosalë këtë investim të bërë realitet e prek në aksin më të rëndësishëm të ndërtuar deri më sot, jo vetëm në vend, por dhe nga më të rëndësishmit në rajon, rrugën Durrës – Kukës – Morinë, në veçanti aksin Rrëshen – Kalimash. Ndonëse një udhëtim në një zonë që shumëkush në shumë vite e ka marrë me përtese, pikërisht për shkak të rrugëve rraskapitëse për t’u zhvendosur, sot kushdo ndërron mendje kur shkel pikërisht këto zona, pasi nga puna intensive e bërë vetëm në harkun kohor të një viti, gjithçka ka ndryshuar, realiteti shekullor është përmbysur. Panorama që të shfaqet në rrugëtimin drejt zonave më të thella verilindore, është krejt tjetër, aq sa të duket e pabesueshme. Rrallë herë mund të ndodhë që mrekullia e natyrës të bashkohet me mrekullinë e punës njerëzore, në realizmin e veprave të tilla kaq madhështore. Dhe ky realizim nuk do të mund as të imagjinohej pa elemente të tilla të performances qeverisëse, si vizioni i qartë dhe vullneti i plotë në realizimin e investimeve publike jetike pre të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Asnjë raport, asnjë imazh apo reportazh mediatik, asnjë studim statistikor nuk do të mund të jepte perceptimin e qartë të kësaj vepre historike. Mjafton të marrësh mundimin të udhëtosh vetë në atë zonë, për të sqaruar së pari vetveten, se çfarë është realizuar tashmë. Gjithçka është e dukshme dhe domethënëse dhe s’ka nevojë për fjalë, për më tepër për ndonjë lloj dialogu, apo monologu qoftë, pasi gjigandi flet vetë, me madhështinë e tij, duke përcjellë një mesazh tek çdo shqiptar, se ky është një investim i realizuar, por njëkohësisht dhe një premtim i mbajtur, një mesazh kuptimplotë se ky vend po bëhet dhe ka hyrë në një rrugë të pandalshme zhvillimi.

Por ky optimizëm, nuk fashit aspak ndërgjegjen tonë qeverisëse se ka ende gabime e mangësi për të korrigjuar, pasi kurba e zhvillimit nuk është e njëjtë në të grithe sektorët dhe ka ende mjaft për të realizuar!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›