Shqiptarët, në një monografi shkencore
Në rrjedhë të kohërave, prej shekullit të dytë, kur del për herë të parë në mënyrë të dëshmuar emri i albanëve (“Albanoi”) dhe i vendit të tyre (“Albanon”), deri në epokën moderne, etnonimi i shqiptarëve, në të dyja format, të brendshme e të jashtme, ka njohur ndryshime. Për një kohë të gjatë studiuesit janë treguar të vëmendshëm kryesisht për anën formale-gjuhësore të zhvillimit historik të emrit etnik të shqiptarëve: albanë, arbanë, arbënë, arbër, arbëreshë, arvanitë, deri te shqiptarë. Studimi i prof.Bardhyl Demirajt, me titullin lakonik “Shqiptar”, botuar këto ditë nga shtëpia botuese “Naimi”, i paraqitet lexuesit si një monografi shkencore. Ai e sheh këtë çështje në një mënyrë tjetër, jo vetëm origjinale, por edhe paradigmatike. Origjinale sepse pyetja që shtron studiuesi përmes kësaj vepre është nëse ndryshimi gjuhësor i këtij etnonimi ruan në përmbajtjen e vet edhe gjurmën e ndikimit të përbërëseve të tjerë të identitetit kombëtar, sidomos të ndikimit të besimeve dhe qytetërimeve të mëdha perandorake me të cilat bota shqiptare ka pasur prekje historike dhe fqinjësore. Paradigmatike, sepse në këtë studim paraqiten, sistemohen e shqyrtohen argumente të disa rendeve: historike, arkivistike, etnologjike, gjuhësore, fetare dhe të disiplinave të tjera, në funksion të certifikimit të rrugës së mjegullt nëpër të cilin ka kaluar emri i shqiptarëve, duke ndryshuar formën gjuhësore brenda së njëjtës leksemë, ose duke u shprehur gjuhësisht në fjalë-rrënjë tjetër; si dhe duke i vlerësuar këto ndryshime në kushtëzim përmbajtjesor me shfaqjen e faktorëve të rinj historikë ndikues jo vetëm në shfaqje, por dhe në kodin e identitetit të bashkësisë. “Shqiptarët” është konceptuar e botuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.
#