Shqiptarët, një “thes me gola” në Europë
Goli i Skerdilajd Currit, sulmuesit shqiptar të Erzgebirge Aue në Bundesliga 3, i shënuar kundër Vupertalit, më 6 dhjetor 2008, u votua nga një anketim ku morën pjesë rreth 12 mijë veta përmes internetit dhe telefonit, si goli më i bukur i sezonit 2008-2009. Në garë për “trofeun” ishin tre gola, por ai i kavajasit 33-vjeçar u përzgjodh më i jashtëzakonshmi në rajonin gjerman të Drezdenit, një vlerësim ky i publikuar në gazetën gjermane “MDR SACHSENSPIEGEL”.
Lojtarët shqiptarë janë të pranishëm që nga fillimi i viteve 1990 në kampionatet e ndryshme europiane. “Këpucët me thumba” të futbollistëve shqiptarë kanë lënë gjurmë në të gjithë botën: nga Italia në Norvegji; nga Gjermania në Japoni; nga Ukraina në Kinë; nga Bullgaria në Kazakistan; nga Izraeli në Azerbajxhan; nga Franca në Zvicër; nga Sllovenia në Spanjë, nga Portugalia në Qipro; nga Greqia në Rumani; nga Malta në Austri; nga Turqia në Kroaci, nga Rusia në Arabinë Saudite. Emra që kanë bërë histori në futbollin europian të tillë si Rudi Vata, Edvin Murati, Igli Tare, Sulejman Demollari, Perlat Musta, Hysen Zmijani, Foto Strakosha, Elvin Beqiri, Ilir Bozhiqi, Geri Çipi, Lefter Millo, Kliton Bozgo, Ylli Shehu, Ledio Pano, Arjan Bellaj, Arjan Xhumba, Ardian Aliaj, Shkëlqim Muça, Roland Agalliu, Alban Bushi, Ervin Skela, Lorik Cana, Altin Lala, Klodian Duro, Fatmir Vata, janë shembull për plejadën më të re të futbollistëve si Debatik Curri, Armend Dallku, Dorian Bylykbashi, Ervin Bulku, Jahmir Hyka, Samir Ujkani, Edgar Çani, Brian Filipi, Geri Malaj, Semiran Çela, etj.
Por, në fokusin e “Albania”-s janë golat, ata që prodhojnë emocione të jashtëzakonshme dhe që për të cilin luhet ndeshja. Hamdi Salihi (SV Ried) me 14 gola në Bundesligën 1 dhe 4 gola në Kupën e Austrisë fiton edhe “këpucën e artë” ndër legjionarët tanë për sezonin që porsa u mbyll.
GJERMANI
Ervin Skela, ish-mesfushori i Energi Kotbusit, shënoi gjatë sezonit që porsa përfundoi vetëm 2 gola (8 asistë), por në total në karrierën e tij ndërkombëtare numëron jo pak, por 80 gola në tre kategoritë e kampionateve gjermane (Bundesliga 1, 2 dhe Regionaliga), teksa “kulmin e prodhimit” e ka me Eintrahtin e Frankfurtit, kur në 3 sezone (2001-2004) shënoi në 92 paraqitje, 26 gola. Goli “perlë” i tij gjatë këtij sezoni ishte ai kundër Bajernit të Mynihut, direkt nga një goditje e lirë. 32-vjeçari Skela ka në statistikat e tij ka dhe 10 gola me përfaqësuesen shqiptare, duke mos llogaritur një numër të pafundmë në ndeshjet e Kupës së Gjermanisë apo një “thes me gola” në ndeshjet miqësore.
Edmond Kapllani mbylli një sezon të “thatë” me Karlsruhen: asnjë gol në këtë sezon, edhe pse për këtë ekip gjatë katër sezoneve së bashku ka realizuar 26 gola në 118 aktivizime.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, besniku i Hanoverit, Altin Lala, këtë sezon nuk shënoi asnjë golin për ekipi profesionist, por realizoi një të tillë për amatorët. Gjithsesi, “xhuxhi luftarak” në jetën e tij futbollistike në Gjermani (Borusia Fulda, Hanover) ka realizuar 16 gola në 338 ndeshje (6 gola për Borusian dhe 10 për Hanoverin).
22-vjeçari i talentuar, Faton Toski, e realizoi një gol të “vockël” për Eintrahtin e Frankfurtit në Bundesligën 1 gjermane, që e çuan në 3 numrin e golave për kosovarin simpatik. Interesant është fakti, se golin e vetëm të sezonit 2008-2009 ua shënoi pikërisht kampionëve të Gjermanisë, Volfsburgut (2-2). Mërgim Mavraj i Bokumit ishte i pafat, asnjë gol për mbrojtësin gjigant.
Skerdilajd Curri, duket se nuk njeh plakje: 33-vjeçari shënoi 5 gola për Erzgebirge Aue, ndërkohë që në gjashtë sezonet me këtë skuadër u ngjit në kuotën e 23 golave (169 ndeshje), që u shtohen 19 rrjetave me Vupertalen (67 ndeshje)
“Plakushi” 37-vjeçar Fatmir Vata do ta shpikë patjetër një gol se s’bën: 3 të tillë gjatë këtij edicioni me Tus Koblenz, që e çuan në 38 gola në Gjermani, plus 8 golave të realizuar gjatë karrierës së tij kroate.
Kosovari i Tus Koblenz, Njazi Kuqi shënoi këtë sezon 5 gola (9 në total me Koblencin) në Bundesligën 2. Një tjetër Kuq, Shefkiu (i vëllai i Njaziut) realiazoi jo pak, por 10 gola këtë sezon me Kristal Palas në Championship-in anglez.
FRANCË
Lorik Cana, kapiteni i Olimpikut të Marsejës, është edhe një ndër përfaqësuesit më të bujshëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke qenë edhe imazhi i lojtarit modern shqiptar dhe futbollisti me kartonin më të shtrenjtë në treg: 14 milionë euro. Përveç golit madhështor të shënuar kundër Liverpulit në Ligën e Kampioneve (faza e grupeve), Loriku shënoi edhe një gol të çmuar në fitoren 3-1 të Marsejës, kundër ish-skuadrës së tij, Paris Sën Zhermenit. Në total, mesfushori shkatërrues u ngjit 8 gola. Lorik Cana mban dy rekorde: transferimin më të shtrenjtë, 3 milionë euro nga Paris Sën Zhermeni te Olimpiku i Marsejës (gusht 2005) dhe futbollisti shqiptar me vlerën më të madhe në treg, 14 milionë euro, sipas faqes së specializuar në merkato, transfertmarkt.de. Ia vlen të kujtojmë se Lorik Cana dhe presidenti i Olimpikut të Marsejës, Pape Diuf, hodhën poshtë një ofertë prej 12 milionë eurosh të bërë nga ana e skuadrës angleze, Evertonit.
AUSTRI
Në kampionatin austriak luan edhe “mbreti i golit shqiptar në Europë” për këtë edicion: Hamdi Salihi (SV Ried). 14 gola në Bundesligën 1 dhe 4 gola në Kupën e Austrisë i japin “këpucën e artë” shkodranit jo vetëm ndër legjionarët tanë, por dhe brenda garës së ekipi të tij, SV Ried. Për ish-lojtarin e Vllaznisë e Tiranës (72 gola në kampionatin shqiptar) bëhet fjalë për 32 gola me fanellën e SV Ried (76 ndeshje), një mesatare e mirë për sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Drejtuesit e SV Ried nuk duan ta lëshojnë “Gerd Mylerin” shqiptar.
ITALI
Sulmuesi i njohur i Serisë A, Erjon Bogdani, shënoi vetëm 1 gol, por gjiganti i Kievos (aktualisht ndodhet në listën e merkatos) në aventurën e tij “italiane” e “kroate” ka realizuar në total 65 gola. Gola në Serinë C1 ka shënuar edhe sulmuesi i talentuar, Brian Filipi: 4 në kampionat. “Skafisti” Florjan Myrtaj shënoi 8 gola në Sorrenton në Serinë D.
QIPRO
Klodian Duro është përfaqësues i golit shqiptar në ishullin e “Afërditës”. Mesfushori, në forcë të Omonia Nikosias për sezonin e kaluar dhe te Ael Limasol në atë të ardhshëm, shënoi në kampionat 8 gola, ku dallohet një tripletë e elbasanasit e disa gola të rëndësishëm në Kupën UEFA, përfshirë edhe një kundër Mançester Sitit.
UKRAINË
Sulmuesi Parid Xhihani la “gjurmë të thella” qysh në sezonin e parë të tij te Zorja Lugansk: 10 gola në llogarinë e ish-kapitenit të Besës së Kavajës, në 25 paraqitje me Zorjan, duke qenë goledaori i parë i ekipit, por dhe realizuezi i pestë më i mirë në kampionatin ukraianas.
Kapiteni i Krivbasit, elbasanasi Dorian Bylykbashi, shënoi 3 gola (dy me penallti) në edicionin e fundit, duke e çuar në 10-të numrin e rrjetave të realizuara në dy sezone e gjysmë me ukrainasit.
Mesfushori shkatërrues Ervin Bulku hodhi firmën e tij: 2 gola, që ishin edhe dy të parët me Krivbasin (44 ndeshje në total), madje një gol e shënoi pikërisht kundër skuadrës së Parid Xhihanit, Zorja Luganskit.
Në listën e goleadorëve shqiptarë në Europë figuron edhe mbrojtësi polivalent kosovar, Debatik Curri. “Debi” militon prej pesë sezonesh në Ukrainë me Vorskla Poltavën, nga ai 2004-2005. Në edicionin 2008-2009, Curri realizoi 4 gola, ndërsa një sezon më parë, me 6 gola ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës, gjithmonë për ndeshje kampionati. 16 gola në 122 ndeshje me Vorsklën, i japin atij një personalitet dhe profil shënuesi simpatik. Curri në karrierën e tij është dhe autor i një goli kundër një gjiganti të tillë si Dinamo e Kievit, apo dhe Holandës në nivelin e përfaqësueseve.
Pa gola te Vorskla nuk ka mbetur as sulmuesi i ri i Kombëtares sonë U-21, Ahmed Januzi: 2 gola këtë sezon, 4 gola në total me “jeshilët” e Vorsklës (54 ndeshje). Edhe pse nuk shënoi këtë sezon me skuadrën e tij, Vorsklën, mbrojtësi Armend Dallku, e ka lënë shenjën e tij për ukrainasit: 2 gola në 108 ndeshje.
Lojtari 2008-2009 Total
Hamdi Salihi 14 32
Parid Xhihani 10 10
Shefki Kuqi 10 130
Klodian Duro 8 15
Skerdilajd Curri 5 42
Njazi Kuqi 5 25
Debatik Curri 4 16
Dorian Bylykbashi 3 10
Fatmir Vata 3 36
Ervin Skela 2 80
Ahmded Januzi 2 4
Ervin Bulku 2 2
Lorik Cana 2 8
Jurgen Gjasula 2 7
Erjon Bogdani 1 65
Altin Lala 1 16
Faton Toski 1 3
Emir Bajrami 1 8
Edmond Kapllani 0 26
Total 76 535
* Janë llogaritur vetëm golat e realizuar në kampionat dhe të atyre futbollistëve që janë në aktivitet
7 golat e Kombëtares
Gjatë eliminatoreve të Kampionatit Botëror të futbollit “Afrika e Jugut 2010”, Kombëtarja A ka shënuar 4 gola, të cilat mbajnë firmën e Erjon Bogdanit (2), Klodian Duros (1) dhe Armend Dallkut (1). Në ndeshjet miqësore kanë shënuar edhe Ervin Skela (1), Jahmir Hyka (1) e Edmond Kapllani (1)
KAMPIONATET E TJERË
Besart Berisha, i huazuar nga Bërnli anglez te AC Horsens, shënoi 4 gola në kampionatin danez. Tiranasi me pasaportë gjermane, Jurgen Gjasula, i cili luan për Bazelin në Zvicër, shënoi 2 gola gjatë sezonit 2008-2009. Mesfushori 23-vjeçar u ngjit në kuotën e 7 golave në karrierën e tij. Emir Bajrami (Elfsborg) shënoi një gol në kampionatin suedez.
KU LUAJNË DISA NGA LEGJIONARËT
GJERMANI
Altin Lala (Hanover, Kat.I)
Ervin Skela (Energi Kobtus, Kat.I)
Edmond Kapllani (Karlsruhe, Kat.I)
Faton Toski (Eintraht Frankfurt, Kat.I)
Mërgim Mavraj (VfL Bokum, Kat.I)
Fatmir Vata (Tus Koblenc, Kat.2)
Renaldo Rama (Tus Koblenc, Kat.2)
Jahmir Hyka (Mainc 05, Kat.2)
Njazi Kuqi (Tus Koblenc, Kat.2)
Ardian Gjokaj (Tus Koblenc, Kat.2)
Skerdilajd Curri (Erzgebirge, Kat.3)
Bekim Kastrati (Fortuna Dyseldorf, Kat.3)
UKRAINË
Debatik Curri (Vorskla, Kat.I)
Armend Dallku (Vorskla, Kat.I)
Ahmed Januzi (Vorskla, Kat.I)
Ervin Bulku (Kribvas, Kat.I)
Dorian Bylykbashi (Kribvas, Kat.I)
Isli Hidi (Kribvas, Kat.I)
Parid Xhihani (Zorja Lugansk, Kat.I)
ITALI
Erjon Bogdani (Kievo, Kat.1)
Samir Ujkani (Palermo, Kat.1)
Edgar Çani (Salernitana, Kat.3)
Brian Filipi (Ravena, Kat.3)
Florjan Myrtaj (Sorrento Kat.4)
QIPRO
Arjan Beqaj (Anorthosis, Kat.1)
Klodian Duro (Omnonia, Kat.1)
Altin Haxhi (Apoel, Kat.1)
Blerim Rustemi (Alki, Kat.1)
FRANCË
Lorik Cana (Olimpik Marsejë, Liga 1)
Semirjan Cela (Angers, Liga 2)
ANGLI
Shefki Kuqi (Kat.I)
Valon Behrami (Uest Ham, Kat.I)
GREQI
Alban Bushi (Levadhiakos, Kat.1)
Erion Koliqi (Iraklis, Kat.1)
DANIMARKË
Besart Berisha (AC Horsens, Kat.I)
Renato Arapi (Silkeborg, Kat.II)
AUSTRI
Hamdi Salihi (SV Ried, Kat.I)
RUSI
Ilion Lika (Terek Grozni, Kat.1)
BULLGARI
Enco Malindi (Spartak Varna, Kat.I)
KAZAKISTAN
Driton Stafsula (Astana, Kat.I)
AZERBAJXHAN
Admir Teli (Quarabach, Kat.I)
TURQI
Gilman Lika (Haccetepe, Kat.I)
POLONI
Labinot Haliti (Lodz, Kat.1)
HOLANDË
Shkodran Metaj (Ajaks, Kat.I)
20 Qershor 2009