Shqiptarët nuk i njohin mjaftueshëm llojet e kafshëve
Veterinerët dhe shitësit e dyqaneve shprehen se qytetarët që drejtohen për të blerë apo për të vizituar një kafshë shprehen se qytetarët nuk janë njohës të mirë të kafshëve. Ata nuk i njohin llojet, ndarjet dhe nënndarjet e tyre. Për shembull, qentë dhe macet janë të llojeve të ndryshme, po blerësit i klasifikojnë sipas tipareve të tyre dalluese. Një qytetar, kur shkon të blejë një qen, shprehet se kërkon një qen të vogël ose të madh, me veshë të vegjël apo të mëdhenj, apo me qime të gjata ose të shkurtra. E njëjta gjë ndodh edhe për shpendët, ata zgjedhin kanarinat nga cicërima e tyre e veçantë dhe nga ngjyrat e bukura që kanë pendët e tyre. Po kështu ndodh edhe me macet, preferohen macet e bardha me qime të gjata dhe me ngjyrë të bardhë. Papagajtë pëlqehen për llafazanërinë e tyre, duke qenë një nga kafshët më zhurmuese.
Kafshët shtëpiake ndikojnë pozitivisht në formimin e fëmijës
Studimet kanë treguar se një fëmijë i rritur në ambient me kafshë shtëpiake është më i shëndetshëm, më i shoqërueshëm dhe më me besim në vetvete në adoleshencë. Lidhja me kafshët influencon në mënyrë pozitive zhvillimin fizik dhe emocional, si dhe në rezultatet e fëmijës në shkollë. Fëmija e konsideron kafshën shtëpiake si një mik në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale: i flet, pret që kafsha ta kuptojë, e shikon si “anëtar” me të drejta të plota të familjes. Për këtë arsye ka dalë dhe shprehja “më mirë një qen besnik sesa një mik”. Mosha më e vështirë është 3 deri në 6 vjeç, sepse fëmija kërkon të zbulojë çdo gjë që e rrethon, gjë që mund ta bezdisë kafshën. Është mirë që prindërit të mësojnë fëmijët si të sillen me kafshët, dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është me shembuj direkt. Specialistët shprehen se ekzistojnë dy arsye për të cilat prindërit kanë frikë të rrisin kafshë në shtëpi: mikrobet dhe parazitët e ndryshëm, të cilët mund të marrë fëmija dhe rreziku që kafsha të bëhet agresive (sidomos qentë e mëdhenj). Mikrobet dhe parazitët gjenden gjithandej, por kjo nuk do të thotë që personat të sëmurën gjithmonë. Fëmija, si çdo njeri tjetër, duhet të respektojë rregullat elementare të higjienës. Ai duhet të laj duart pasi ka prekur kafshën dhe sidomos para ngrënies, mos të ndajë ushqimin nga pjata e tij me kafshën. Përsa i përket dhunës, shumë rrallë një kafshë e edukuar bëhet agresive pa arsye. Çdo qen duhet shkolluar, edhe pse kjo kërkon një kosto. Por qeni do të jetojë në familje për 15 vjet dhe që të mos ju “turpërojë” dhe të mund ta merrni me vete kudo që shkoni, duhet të shkojë në shkollë. Fëmija duhet të mësojë si të sillet me qenin. Duhet të dijë që nuk është kukull, që nuk mund t’i hidhet sipër me krahët hapur si bën me mamin dhe babin, që nuk mund të afrohet dhe ta shikojë duke e fiksuar me sy, sepse kjo për kafshën do të thotë “deklarim lufte”. Kjo gjë nënkupton që në asnjë mënyrë nuk duhet ta shqetësojë kur ha ose të luajë duke i marr ushqimin. Me macet komunikimi është edhe më e vështirë. Macet nuk durojnë lëvizjet e menjëhershme, përqafimet e forta dhe lojërat, acaruese që shpikin të vegjlit. Është e natyrshme që dhe kafshët të kërkojnë të vetëmbrohen nga kërcënimet duke nxjerrë thonjtë. Specialistët shprehen se jeta pranë një kafshe është më e pasur dhe më e mbushur me gëzime si për të mëdhenjtë ashtu edhe për të vegjlit.
Dhjetë kafshët VIP më të pasura në botë
Njerëzit më të pasur të botës, para se të vdesin, lënë si trashëgimtarë të ligjshëm kafshët më të dashura, me të cilat kanë ndarë një pjesë të jetës. Nëpërmjet testamentit ata shpallin trashëgimtarët ligjorë të pasurisë së tyre. Kështu ka ndodhur me VIP-at botërorë. Bëhet fjalë për raca të ndryshme qensh, por nuk mungojnë macet, një breshkë dhe një shimpanze. Kështu, gazetat dhe revistat më prestigjioze në botë kanë renditur dhjetë kafshët më të pasura në botë, të cilat do t’i kishin zili mjaft njerëz. Në vendin e parë renditet Gunther IV. Ai është një pastor gjerman, pasardhës i Gunther III që në vitin 1991, pas vdekjes së padrones, konteshës Karlotta Liebenstein, trashëgoi një pasuri prej 139 milionë markash. Tutorët e tij i kanë investuar mirë paratë e pastorit gjerman. Ata blenë një nga shtëpitë e Madonës në Majami dhe sot pasuria ka arritur në shumën e 130 milionë eurove. Jeta e tij mes luksit dhe kënaqësive është treguar edhe në website-in dedikuar kafshës fatlume.
Në vendin e dytë është një tjetër qen, Toby Rimes. Kjo kafshë e vogël renditet larg nga pasuria e të parit, por edhe tutorët e tij kanë qenë investitorë të mirë, duke parë që sot pasuria e tij vlerësohet rreth 65 milionë euro. Më poshtë renditet një shimpanze e quajtur Kalu. Para se të bëhej kafsha e tretë më e pasur në botë, kjo shimpanze kishte pasur një jetë të trishtë. U gjet e lidhur në një pemë në Zaire nga Patricia O’Neill, vajza e konteshës së Kenmorës, e cila e adoptoi menjëherë. Patricia ka deklaruar se një nga shqetësimet e mëdha të saj ishte fakti se kush do të kujdesej për të pasi ajo të mos ishte më në jetë. Me sa duket Kalu vazhdon të bëjë një jetë të mirë, sot pasuria e saj arrin në 60 milionë euro. Kafshët e tjera në klasifikim nuk kanë trashëguar të gjitha pasuri, por shumë trajtohen me kujdes të veçantë dhe rriten mirë.
Në vend të katërt gjendet qeni Frankie dhe macja Ani e Pepe le Pew. Secili prej tyre ka në dispozicion nga një pjesë vile në San Diego në Kaliforni, vlerësuar me më shumë se 15 milionë euro. Për të jetuar, ish-padronët i kanë lënë edhe rreth 10 milionë euro.
Lista ndiqet nga qeni Flossie, që ka fatin të rrijë në një shtëpi 4,5 milionë euro në zonën e pasur të Beverli Hillsit. Sipas “Times”, Flossie e ka merituar gjithë këtë pasuri: në vitin 2002 ka shpëtuar të zonjën dhe bashkëshortin e saj, Tom Green, duke i zgjuar në kohën që shtëpia ishte përfshirë nga flakët.
Pozicioni i radhës i takon qenit Trouble, të cilit vitin e shkuar i është lënë një pasuri prej 12 milionë dollarësh nga Leona Helmsley, maniakja e hoteleve njujorkeze. Pas tij vjen maçoku Tinker, me një pasuri prej 650 mijë euro dhe më tej Tina e Kate, me të njëjtën vlerë pasurie. Në vendin e nëntë renditen kafshët shtëpiake të Christina Foyle, vdekur në vitin 1999, e cila është pronarja e fundit e librarisë “Foley” në Londër. Listën e mbyll kafsha e nënës mbretëreshë të Anglisë, pasuri që sot vlerësohet në 10 mijë euro.
14 Mars 2009