E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, Prokuroria dërgon dosjen në Gjykatën e Lartë



Laureta Rryçi

Tiranë - Prokuroria dërgoi dje në Gjykatën e Lartë dosjen për tragjedinë e Gërdecit. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se institucioni i akuzës ka dorëzuar pas mesditës dosjen me 80 fashikuj për të pandehurit e Gërdecit. Përfaqësuesit e akuzës duket se kanë hedhur përfundimisht versionin e fundit mbi ngjarjen pas një viti hetimi. Kështu, për 28 të pandehurit, mes të cilëve një ish-ministër dhe katër të arrestuar, do të njihen zyrtarisht me akuzat në sallën e gjyqit. Dosja e djeshme shënoi dosjen e dytë që po gjykohet në themel në Gjykatën e Lartë. Në të njëjtën kohë vendoset në bankën e të pandehurve ministri i dytë i kabinetit “Berisha”.
Dosja
Dy ditë më parë ishte vetë kryeprokurorja Ina Rama që la të kuptohej qartë se Prokuroria do ta dorëzonte dosjen shumë shpejt. Kështu, organi i akuzës nuk rrezikoi më me afatet hetimore, sikurse ndodhi me çështjen “Rrëshen-Kalimash”, me të pandehur ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Bashën. Përveç katër të arrestuarve; Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli dhe Sokol Gjeçi, pjesa tjetër e të akuzuarve janë në gjendje të lirë. Mes tyre edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim së bashku me dy ish-sekretarët e Përgjithshëm të kësaj ministrie. Po për shpërdorimin e detyrës janë të pandehur edhe ish-ushtarakët më të lartë të Forcave të Armatosura, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, ish- zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm Agim Lala, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja, ish-komandant i Forcës Mbështetëse.
Hetimi
Sipas kërkesës për gjykim të 28 të pandehurit e kësaj dosjeje, në role dhe kohë të ndryshme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë veprash penale, që nga "shpërdorimi i detyrës"; "shkatërrim të pronës"; "falsifikim të dokumenteve" dhe "vrasje me dashje më shumë se njëherë kundër dy ose më shumë personave".
"Nga hetimet e dosjes ka rezultuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në role dhe kohë të ndryshme, me veprimet dhe mosveprimet e tyre me dashje, kanë hartuar shkresa të paligjshme në respektim të zbatimit të urdhrave të kundërligjshme të firmosura nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, veprime këto që kanë faktuar një lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec", - shkruhet në kërkesën për gjykim, që tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Gjatë hetimit ka rezultuar se në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec, organizimi i punës bëhej duke u përqendruar në një numër të madh punëtorësh, në një sipërfaqe shumë të vogël pune, çka ka cenuar kushtet e sigurisë teknike dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit.

Dosja “Gërdeci”

Të pandehurit dhe akuzat

1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tender"
2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
3. Agim Lala, ish-zvshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
4. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar, "shpërdorim detyre"
5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse, "shpërdorim detyre"
6. Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, “shpërdorim detyre"
7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit, "shpërdorim detyre"
8. Ardian Mullahi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, "shpërdorim detyre"
9. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
10. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit, "shpërdorim detyre"
11. Dashnor Çaushaj, kryetar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve, "shpërdorim detyre"
12. Zenun Fero, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve, "shpërdorim detyre"
13. Hysni Coçka, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve, "shpërdorim detyre"
14. Hilmi Laçaj, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve, "shpërdorim detyre"
15. Fari Toska, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve, "shpërdorim detyre"
16. Rezart Tërshana, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Fishekëve, "shpërdorim detyre"
17. Besnik Dauti, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Fishekëve, "shpërdorim detyre"
18. Agim Babameto, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Fishekëve, "shpërdorim detyre"
19. Fiqiret Mato, drejtor i Uzinës Mekanike Gramsh për "falsifikim dokumentesh"
20. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan për "falsifikim dokumentesh"
21. Gëzim Oshafi, anëtar i Komisionit të çmimeve të Municioneve të Rënda, "shpërdorim detyre"
22. Denis Hajdari, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda, "shpërdorim detyre"
23. Jorgo Mino, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda, "shpërdorim detyre"
24. Fatbardh Kuçi, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda, "shpërdorim detyre"

Të pandehur në burg

25. Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s, "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash"; "shpërdorim detyre" e "falsifikim të dokumenteve" në bashkëpunim dhe "shpërdorim detyre" nga Kodi Penal Ushtarak
26. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë "Albademil", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash" dhe "shkatërrim prone" në bashkëpunim
27. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë "Albademil", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash"dhe "shkatërrim prone" në bashkëpunim
28. Sokol Gjeçi, ish-inspektori i ndërmarrjes shtetërore "MEICO", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash" dhe "shpërdorim detyre" në bashkëpunim

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›