Çashku: “Nuk kemi pretendime pronësie, u habitëm nga sjellja e Policisë dhe e Ministrisë”
Tiranë - “Orafilm-AFMM vazhdon të theksojë faktin se nuk parashtron asnjë pretendim pronësie as mbi ndërtesën e ish-departamenti të zërit, as mbi lulishten rrethuese. Orafilm-AFMM mendon se këto prona duhet të mbeten prona publike, të destinuara për të mbështetur veprimtaritë kinematografike dhe kulturore”. Kështu thuhet në deklaratën për shtyp të rektorit Kujtim Çashku. “Në emër të Akademisë së Filmit dhe Multimedias ‘Marubi’ (Orafilm-AFMM), doja t’ju shprehja shqetësimin tonë më të thellë mbi gjendjen ku ndodhemi kohët e fundit me qeverinë shqiptare, e cila ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e institucionit tonë”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Kujtim Çashkut. Në njoftimin për median se “më 30.09.2004 qeveria shqiptare nxori Vendimin Nr. 652, i cili lejonte Orafilmin të ngrinte AFMM si universitet. Më 4.02.2005 qeveria shqiptare nxori Vendimin Nr. 74, i cili i jepte Orafilm-AFMM-së një hapësirë prej 200 metrash katrorë, brenda ndërtesës së të ish-studios së zërit në Kinostudio për përdorim, pa shpërblim, për dhjetë vjet. Në maj 2008, Agjencia Kombëtare e Akreditimit dhe Ministria e Arsimit e akreditoi Orafilm-AFMM si universitet. Po në të njëjtin vit, Orafilm-AFMM u bë anëtare e plotë e CILECT-it. Që në vitin 2004 e në vazhdim, Orafilm-AFMM është informuar vazhdimisht nga qeveria shqiptare, se kërkesat e saj po merreshin në konsideratë në mënyrë të favorshme. Megjithatë, pavarësisht kërkesave të shumta të bëra nga Orafilm-AFMM, qeveria e ka zvarritur çështjen dhe nuk nxori një vendim zyrtar mbi statusin e hapësirës shtesë. Duhet të nënvizohet gjithashtu se legjislacioni shqiptar i jep të drejtën qeverisë të ndalojë çdo investim që kryhet në çfarëdolloj prone brenda 6 muajve të parë. Pas kësaj periudhe, nëse qeveria kërkon ta kundërshtojë këtë investim, ka të drejtë t’u drejtohet organeve gjyqësore”.
14 Mars 2009