Masa në gjykatë, i arrestuari ndërton alibinë
Tiranë - Shkëlqim Alliu, i akuzuar për vrasjen e ndodhur tri ditë më parë në kryeqytet, ndërtoi dje para Gjykatës alibinë duke mohuar akuzën e ngritur ndaj tij. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës shpjeguan dje se i riu, teksa është paraqitur për masën e sigurisë, ka mohuar gjithçka. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar në lehtësimin e pozicionit të tij. Gjyqtari i gatshëm ka dhënë për Alliun masën e sigurisë që u kërkua nga prokurori, atë të “arrestit me burg”. Mbi Shkëlqim Alliun rëndon akuza për vrasjen e Shpëtim Gjenollarit. Alliu, 42 vjeç, u arrestua nga forcat e Policisë së Tiranës si autor i dyshuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit Shpëtim Gjenollari, 35 vjeç, pak ditë më parë në Tiranë. Ndërkohë, hetuesit e çështjes mendojnë se shkak për ngjarjen mund të jetë bërë një konflikt i mëparshëm për motive të dobëta mes autorit dhe viktimës.
Gruaja rreh burrin me lopatë, në ndihmë i vjen dhe vëllai
Fier – Konflikt mes dy bashkëshortëve ka përfunduar me fraktura të shumta në trup 46-vjeçari Vladimir Demçe, i cili është rrahur me bisht lopate nga bashkëshortja e tij, 42-vjeçarja Anita Demçe, ku në ndihmë ka ardhur dhe vëllai i Anitës, 25-vjeçari Hasan Kukalaj. Vladimir Demçe ushtronte dhunë sistematike ndaj gruas së tij. Edhe pse ajo edhe vëllai i saj i kishin thënë që të mos vinte dorë mbi të, ai vazhdonte ta rrihte. Pasditen e së enjtes, pasi ai kishte rrahur gruan përsëri, ajo i ka telefonuar të vëllait, Hasanit, i cili kur ka ardhur në moment ka marrë bishtin e lopatës dhe ka filluar duke e rrahur atë në shtëpinë e vet. 46-vjeçari është dërguar në Spitalin e Fierit nga komshinjtë e tij, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, por nga frakturat e shumta që ka pasur është nisur me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Vladimir Demçe është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shkuar më pas në banesën e prindërve të saj dhe ka kryer ndalimin e bashkëshortes së të dëmtuarit dhe të vëllait të saj, të cilët janë autorët e kësaj ngjarjeje. Për këtë ajo ka pohuar në polici se ka dëshmitarë edhe komshinj të saj për dhunën që ai përdorte mbi të.
14 Mars 2009