Grinden për motive të dobëta, godet bashkëfshatarin me thikë
Korçë – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Pojan të Korçës, ku 51-vjeçari Muhamer Spahillari, banor i këtij fshati, është goditur me thikë nga 24-vjeçari Edison Demiri, edhe ky banor i Pojanit. Sipas të dhënave të policisë, ngjarja në fjalë ka ndodhur për motive të dobëta dhe në grindje e sipër Demiri e ka goditur Spahillarin me mjete të forta dhe të mprehta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore. Menjëherë i plagosuri është dërguar në Spitalin e qytetit të Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka arrestuar menjëherë autorin e ngjarjes, për të cilin rëndon akuza për plagosje të rëndë me dashje, dhe ka filluar menjëherë ka filluar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gjendet makina e grabitësve të Postës
LEZHË - Policia e Lezhës ka mundur të gjejë makinën e grabitësve të punonjësve të filialit të Postës së Lezhës. Sipas burimeve policore, makina e tipit “Volkswagen” është gjetur e shkrumbuar në fshatin Tresh të Lezhës. Në lidhje me këtë ngjarje në Komisariatin e Policisë së këtij qyteti janë shoqëruar tre persona, por nuk bëhen të ditur emrat për shkaqe hetimi. Punonjësit e postes janë grabitur mëngjesin e dy ditëve më parë, pasi kanë dalë nga Banka Kombëtare Tregtare, ku kanë tërhequr paratë për pagat e punonjësve. Sipas zëdhënëses së Policisë së Lezhës, 3 punonjësit e filialit të postës, 2 prej të cilëve ishin punonjëse dhe i treti punonjës i policisë private të filialit, pasi kanë dalë nga banka janë grabitur nga tre persona, të cilët nuk janë identifikuar ende. Grabitësit kanë qenë të maskuar dhe kanë sulmuar punonjësin duke i rrëmbyer shumën e parave që kishte me vete. Mësohet se grabitësit kanë shtënë në ajër në momentin kur kanë rrëmbyer shumën prej 5 milionë lekësh.
14 Mars 2009