E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët pasurojnë Greqinë

Banka Kombëtare Greke ka hedhur përfundimisht poshtë mitin se emigrantët po dëmtojnë ekonominë helene, një argument ky i përdorur gjerësisht në debatet politike, qoftë edhe në Kuvendin e Greqisë. Në një raport të publikuar këtë javë, NBG ka arritur në përfundim se emigrantët nga vendet e Evropës Juglindore, duke veçuar sidomos emigrantët shqiptarë, kanë pasur një kontribut të jashtëzakonshëm në lulëzimin e ekonomisë së fqinjit tonë jugor. "Ekonomia greke tashmë është më e fuqishme, më fleksible dhe po rritet më shpejt, falë kontributit të emigrantëve, sidomos atyre shqiptarë", thuhet në raportin që është paraqitur zyrtarisht këtë javë edhe përpara mediave. Një studim i Institutit Grek për Politikat e Emigracionit ka arritur në përfundimin se mbërritja e 200 mijë emigrantëve të rinj do të rriste PBB greke me të paktën 0.7 pikë përqindje, ose 16 për qind të totalit. Në Greqi jetojnë më shumë se 600 mijë emigrantë. Nga një analizë e thjeshtë del se deri tani shqiptarët kanë ndikuar në rritjen GDP-së greke me gati 2.1 pikë përqindje. Krahas përmirësimit të tregut të punës dhe rritjes së produktivitetit, emigrantët janë bërë tashmë një faktor me peshë edhe sa i takon efektit në rritjen e konsumit të brendshëm, duke pasur kështu ndikim direkt në rritjen ekonomike.

Debati

Në Greqi ekziston një debat i ndezur në lidhje me ndikimin e emigrantëve në ekonominë helene. Pjesa dërrmuese e politikës greke, por edhe vetë qytetarëve, mbrojnë idenë se emigrantët janë duke shkatërruar ekonominë greke, por të dhënat e fundit të dala nga studimi i Institutit Grek për Politikat e Migrimit dhe NBG kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e tyre. Pretendimet e atyre që janë kundër emigrantëve kanë të bëjnë kryesisht me faktin se këta të fundit shkatërrojnë tregun e punës, duke lënë shumë vendas të papunë. Por studimi ka arritur në përfundimin se nëse emigrantët do të largoheshin të gjithë nga Greqia, gjysma e vendeve të punës që ata punojnë aktualisht do të mbeten bosh. Krahas impakteve të emigrantëve, raporti vë në dukje edhe bumin ekonomik që po vjen nga rritja e bashkëpunimit të Greqisë me vendet e rajonit.

Shqiptarët

Emigrantët shqiptarë, që punojnë e jetojnë në Greqi, llogaritet të kenë depozituar në bankat e shtetit helen rreth 2 miliardë euro. Shifrën e kanë bërë të ditur mediat e shkruara greke, duke iu referuar të dhënave të marra nga bankat tregtare të këtij vendi. Shuma prej dy miliardë eurosh është e barabartë me rreth 30 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Në rast se këto para do të ishin transferuar në bankat shqiptare, atëherë ekonomia e vendit do të kishte më shumë burime monetare në dispozicion për të financuar investime të ndryshme. Në fakt, për vite me radhë dërgesat e emigrantëve kanë financuar deficitin e lartë tregtar të vendit, duke mbajtur të pacenuar aftësinë paguese të ekonomisë sonë. Në rast se vetëm kursimet e emigrantëve shqiptarë në Greqi do të injektoheshin në ekonominë tonë, atëherë Produkti i Brendshëm Bruto i vendit do të rritej me 30 për qind, çka do të thotë një rritje e ndjeshme edhe e të ardhurave për frymë në vend. Po kështu, kjo shifër është 10 herë më e lartë se investimet e huaja të drejtpërdrejta në vendin tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›