E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët protestuan në Bruksel

Shqiptarët që jetojnë në Belgjikë, por edhe nga vende të tjera përreth, kanë protestuar sot në sheshin përballë Parlamentit Evropian në Bruksel, me moton “Të bashkuar me Luginën e Preshevës.

Në qendër të Brukselit, ashtu siç ishte paralajmëruar, sot ishin tubuar qindra shqiptarë, kryesisht nga Lugina e Preshevës, për të ngritur zërin kundër diskriminimit që po ju bëhet nga regjimi serb.

Protestuesit mbanin në duar flamujt kombëtarë, amerikan dhe evropianë dhe parulla kundër diskriminimit dhe represionit sistematik serb në tri komunat shqiptare në jug të Serbisë.

Në parullat dhe brohoritjet e protestuesve dominonin ato për kthimin e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, i cili u hoq dhumshëm nga forcat serbe më 20 janar.

Protestuesit kanë dënuar edhe aktin e dëmtimit të varrezave shqiptare në fshatin Oslarë të Bujanocit. Ata kërkuan heqjen e përmendores së xhandarmërisë serbe në afërsi të fshatit Dobrosin, e cila paraqet provokim për shqiptarët e Luginës së Preshevës, raporton “Presheva jonë”.

Organizatorët kanë përgatitur një raport ku dënohet politika diskriminuese serbe në Luginën Preshevës, i cili do t’iu dërgohet të hënën zyrtarëve të lartë të BE-së në Bruksel. Protesta ka përfunduar pa incidente./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›