Shqiptarët pushtojnë Ljubjanën

Mediat sllovene kanë ngritur alarmin se ndeshja mes Sllovenisë dhe Shqipërisë mund të transformohet në një ndeshje "në shtëpi" për përfaqësuesen shqiptare. Konfirmimi vjen edhe nga ana e Federatës Sllovene, NHS, e cila ka bërë të ditur se janë shitur të gjithë biletat për sektorin e miqve, rreth 2400 të tilla në impiantin "Stozhice" të Lubjanës, që ka një kapacitet prej pak më shumë se 16 mijë vendesh.
"Biletat janë shitur mjaft mirë, ato që ishin caktuar për tifozët shqiptarë janë shitur të gjitha. Nëse ndeshja do të luhej tani, stadiumi do të kishte mbi 10 mijë spektatorë të pranishëm, ndoshta mund të luajmë në një impiant të mbushur", konfirmoi për mediat sllovene zëdhënësi për shtyp i NHS, Mattiaz Krajnik.
Sipas sllovenëve, kjo do të thotë se në stadium do të jenë 2400 tifozë shqiptarë. Por, shifra e vërtetë, sipas tyre nuk është kjo, pasi rrezikohet që stadiumi të jetë i ndarë përgjysmë mes dy tifozerive, me shqiptarët që kanë siguruar bileta edhe për pjesë të tjera të stadiumit, jo vetëm për sektorin e miqve. Këtë fakt ua ka konfirmuar edhe Kliton Bozgo, ti cili ka bërë të ditur se vetëm ai personalisht ka marrë kërkesa për qindra bileta për këtë sfidë. /indeksonline/