E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, të bashkuar në alternativën e NATO-s

Shqipëria dhe Maqedonia presin që në samitin e Bukureshtit të marrin ftesën e anëtarësimit në NATO. Kjo është deklaruar dje nga kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti. Në kuadër të vizitës që kreu i PBDI-së zhvilloi dje në Tiranë, në takimin me kreun e qeverisë shqiptare një vend i veçantë i është kushtuar edhe anëtarësimit të të dy vendeve në NATO, gjatë samitit të Bukureshtit. Kryeministri Berisha dhe zoti Ahmeti diskutuan mbi zhvillimet në rajon dhe Maqedoni. Me Ahmetin patën një diskutim të thelluar mbi zhvillimet në rajon dhe Maqedoni. Kreu i qeverisë theksoi se mbetet për t’u përshëndetur qëndrimi i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Ahmeti, qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare dhe forcave të tjera politike, të cilat kanë vendosur atlantizmin dhe integrimin e Maqedonisë në NATO si interesin më të mirë kombëtar, si interesin më të mirë të Maqedonisë e rajonit dhe kanë ndërtuar në këtë periudhë të gjitha qëndrimet politike në funksion dhe në kontribut të procesit të integrimit, duke luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. “Unë e përgëzova z. Ahmeti, sikundër e sigurova se qeveria shqiptare mbështet dhe do të mbështesë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje paqeje dhe stabiliteti për vendin fqinj mik, Maqedoninë. Ndërsa kreu i PDI-së, Ahmeti e njohu Kryeministrin Berisha me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e vendit në NATO, në prag të Samitin e Bukureshtit. Kryeministri përshëndeti qëndrimin e forcave politike shqiptare në Maqedoni për qëndrimet e tyre në interes të integrimit të vendit në NATO. Gjithashtu, Berisha konfirmoi se qeveria shqiptare mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në dobi të paqes dhe stabilitetit. Kreu i PDI-së Ali Ahemti vuri në dukje se “ndodhemi në prag të një ngjarje jashtëzakonisht historike për ne si Maqedoni, por edhe Shqipërinë”. “Të dy vendet presim ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, për të cilën kemi punuar në vazhdimësi. Gjithashtu, ne do të punojmë edhe në të ardhmen që në këtë Samit të bëhemi anëtarë të NATO-s. Ne kemi bërë punë jashtëzakonisht të mirë, konstruktive dhe këtë angazhim maksimal do ta japim deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë. Tani do të hapim për zgjidhje çështje, të cilat kërkojnë tashmë zgjidhje në Maqedoni, siç jeni në dijeni të gjithë, zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe probleme të tjera që ne i kemi afirmuar edhe në marrëveshje me Kryeministrin e Maqedonisë dhe partitë në pushtet në këtë vend”, tha Ahmeti.
Berisha falënderon shqiptarët e Maqedonisë, për solidaritetin e madh që dëshmuan për ngjarjen e Gërdecit/Kryeministri Sali Berisha falenderoi me shumë mirënjohje të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, si dhe qeverinë, për solidaritetin e madh që dëshmuan për ngjarjen e Gërdecit. Kreu i Partisë Demokratike për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, zhvilloi dje një vizitë në Tiranë, në shprehje e solidariteti me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, me rastin e tragjedisë së Gërdecit. Në takimin me Kryeministrin Berisha, Ahmeti shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Ai informoi Kryeministrin për gatishmërinë e shprehur nga shumë komuna në Maqedoni për të ndihmuar bashkinë e Vorës. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha tha se “nuk do të harrohen ndonjëherë autobuzat e mbushur plot nga Struga, Dibra dhe zona të tjera, të cilat për shkak të radhëve të gjata pranë qendrave të tyre shëndetësore, erdhën në Elbasan dhe qendra të tjera në Shqipëri për të dhuruar gjak”. Duke informuar mbi takimin me z. Ahmeti, Kryeministri Berisha vuri në dukje të gjitha hapat që janë ndërmarrë për menaxhimin e kësaj fatkeqësie gjatë kësaj periudhe, si dhe me përmasat e operacionit të kërkim-shpëtimit. “Ky operacion zhvillohej në një territor, ku ranë mbi 5600 predha artilerie të kalibrit të ndryshëm, por kjo nuk pengoi dhe nuk dekurajoi njësitë më të mira të ushtrisë shqiptare, forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë, qytetarët e Vorës, që të ngrihen mbi çdo rrezik dhe të shkojnë të tërheqin të plagosurit, po atë natë afër zonës së kraterit, duke shpëtuar kështu me dhjetëra e dhjetëra jetë”, tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, ai vlerësoi edhe mobilizimin e madh të sistemit tonë shëndetësor për të ndihmuar mbi 260 të plagosur që iu drejtuan spitaleve të Tiranës dhe qyteteve përreth. Gjithashtu, Kryeministri Berisha e informoi z. Ahmeti “me skemën e vendosur nga qeveria për zhdëmtim të plotë të të gjitha dëmeve të krijuara”. Ndërsa, Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se “ka një interesim nga kryetarë të komunave në Maqedoni që të solidarizohen me komunën e Vorës për ngjarjen e Gërdecit. Ai shtoi se së shpejti vizita dhe takime të tilla do të bëhen në nivel komunash për të parë çfarë mund të bëhet më tutje që sa më parë të rregullohet gjendja. Ahmeti vlerësoi angazhimin jashtëzakonisht të madh të Kryeministrit të Shqipërisë që sa më parë njerëzit e pastrehë të kthehen në shtëpi të reja. “Gjithashtu, ndajmë dhimbjen për të gjithë ata njerëz që humbën jetën në këtë tragjedi, por vlerësojmë edhe shpirtin e sakrificës që unë vërejtja tek Kryeministri për t’u qëndruar sa më afër këtyre njerëzve që t'ua bëjë dhimbjen sa më të lehtë”, tha më tej ai. “Vizita jonë ka si qëllim solidarizimin me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar me rastin e tragjedisë së Gërdecit. Njëkohësisht, njoftuam Kryeministrin për të gjitha aktivitetet që vullnetarisht njerëzit kanë ndërmarrë deri tek dhurimi i gjakut”, vuri në dukje Ahmeti.

 Alket Goce

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›