E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan në Tiranë për të konfirmuar një prani më të lartë të biznesit turk në Shqipëri

Kryeministri i Turqisë,, zoti Recep Tayyip Erdogan mbërrin dje në mbrëmje në Tiranë dhe sot pritet do të ketë takime me personalitetet më të larta të shtetit. Axhenda e takimeve zyrtare të zotit Erdogan është njoftuar nga Departamenti i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave dhe planifikon takimet e nivelit më të lartë. Në 09.20 mbahet Ceremonia zyrtare e pritjes në Kryeministri, më pas vijon takimi kokë më kokë mes dy Kryeministrave, e më tej edhe bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve. Më 10.45 do të kryhet nënshkrimi i marrëveshjes “Programi kuadër për bashkëpunimin në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit, rinisë dhe sporteve, masmedias dhe kontakteve midis njerëzve”, nga dy kryeministrat: Berisha dhe Erdogan, ndërkohë që më pas do të jetë edhe momenti i Konferencës së përbashkët për shtyp. Në orën 11.20, shefi i qeverisë turke, fuqia e dytë ushtarake e NATO-s do të ketë takim me Edi Ramën, Kryetarin aktual të Partisë Socialiste, njëkohësissht Kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që në mesditë ai do të jetë në zyrën e Kryetares së Kuvendit, zonjën Jozefina Topalli, në selinë e Kuvendit të Shqipërisë. Një stacion i rëndësishëm i vizitës së kryeministrit turk është edhe përshëndetja që ai dhe homologu shqiptar do të bëjnë në takimin e Këshillit të Biznesit turko-shqiptar, aktivitet që do të mbahet në orën 13 në Hotel Sheraton. Në orën 15, shefit të qeverisë turke i ka rezervuar një takim, Presidenti i Republikës, zotin Bamir Topi, ndërkohë që mbylljen e takimeve zyrtare, kryetari i mazhorancës turke, një vend me shumë ndikim edhe në radhën e botës islame e rezervon për krerët e dy komuniteteve islame në Shqipëri; në orën 16.30, me zotin Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman dhe në orën 17, me Baba Reshat Bardhin, Kryetar i Komunitetit Bektashian, takime që do të mbahen që të dyja në hotel Sheraton. Shqipëria dhe Turqia kanë mbajtur vazhdimisht një nivel shumë të mirë marrëdhëniesh mes tyre, ndërkohë që qeveritë e të dy vendeve po ndërmarrin një sërë reformash, në mënyrë që sa më shpejt ato të bëhen anëtare me të dreja të plota në Bashkimin Evropian. Edhe bashkëpunimi ekonomik mes të dy vendeve ka njohur një intensifikim gjatë këtyre 17 viteve, megjithatë në takimin e vjetshëm që dy kryeministrat mbajtën në Stamboll, Berisha dhe Erdogan shprehën dëshirën që marrëdhëniet ekonomike të ngriheshin në nivelin e shkëlqyer ku aktualisht gjenden marrëdhnëniet politike mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›