Shqiptarët, të ndarë për monumentin e 100-vjetorit
Një monument për 100- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ka sjellë përplasje mes qeverisë dhe opozitës dhe ka marrë kritika nga komuniteti artistik
Nga Besar Likmeta, BIRN
Lideri i opozitës, Edi Rama, e ka quajtur qeverinë injorante, për shkak të planifikimit të dobët të një memoriali që do kujtojë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që qeveria të shpallë një projekt për një monument e më pas të thotë se do shohim se ku do e vendosim, shkroi Rama në Twitter.
Ky do jetë monumenti i parë në botë për të përkujtuar 100 vjetorin e një ngjarje, dhe jo ngjarjen vetë, edhe pse ne e kemi një monument për ngjarjen, tha lideri socialist, një piktor i dikurshëm.
Një komision ad- hoc, i drejtuar nga kryeministri Sali Berisha, të martën shpalli fitues projektin e arkitektëve me bazë në Gjermani, Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas.
Struktura e lartë tetë metra, që duket si një shtëpi e ndarë në dysh, do ketë simbolet kombëtare si shqiponjën me dy krerë dhe deklaratën e pavarësisë, të gdhendura nga brenda.
Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, e vlerësoi projektin e dy arkitektëve, që janë të vendosur në Mynih, duke thënë se është frymëzuar nga arkitektura tradicionale shqiptare.
Hapja e shtëpisë simbolizon çlirimin e Shqipërisë nga izolimi drejt lirisë, duke parë nga e ardhmja, tha ai.
Disa pjesëmarrës në garë janë ankuar se organizatorët e shpallën konkursin shumë vonë dhe mungesa e një vendimi nëse monumenti do vendosej në një shesh ose park, ishte një pengesë.
Gara u hap në janar dhe propozimet duhej të bëheshin brenda tre muajsh.
Një skulptor, që mori pjesë në garë dhe foli për Balkan Insight në kushtet e anonimatit, tha se kishte konfuzion mes atyre që morën pjesë në lidhje me qëllimin e projektit.
Nuk ishte e qartë nëse thirrjet për propozim ishin për një monument të pavarësisë apo për një monument për të kujtuar 100- vjetorin e pavarësisë, tha ai.
Monumentet për një përvjetor të ngjarjeve të rëndësishme janë normalisht në formë obelisku ose gurë përkujtimorë, theksoi ai.
Shqipëria shënon 100 vjetorin e deklaratës së pavarësisë nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912, dhe si një ditëlindje e rëndësishme, qeveria ka premtuar se do e festojë atë me stil.
Megjithatë, pavarësisht komisioneve të shumta dhe premtimeve të mëdha, fondet në dispozicion janë të pakta. Ndërsa Galeria Kombëtare ka bërë thirrje për monumente të reja, ajo ka dështuar deri më tani të kompensojë artistët që morën pjesë në konkursin e parë.