Çmimet nën presion për rritje të mëtejshme
Presionet ndaj rritjes së çmimeve kanë qenë të larta gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, thuhet në analizën më të fundit të Autoritetit Qendror Bankar. Ato janë dominuar nga faktorë të krahut të ofertës, me origjinë jashtë ekonomisë së vendit. Kërkesa e brendshme ka prodhuar presione relativisht të dobëta inflacioniste, si rezultat i pranisë së hendekut ende negativ të prodhimit. Nënçmimi i kursit të këmbimit me ritme mjaft më të ulëta sesa ato të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ka ndihmuar në zbutje e presioneve inflacioniste gjatë pjesës së parë të vitit 2011. Për të frenuar tendencën në rritje të pritjeve inflacioniste të agjentëve të tregut, si edhe për të zbutur fenomenin e materializimit të efekteve të veprimit të dytë në çmimet e konsumit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në fund të muajit mars 2011, rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 5.25%. Inflacioni i tremujorit të dytë të vitit 2011 rezultoi 4.1%. Presionet inflacioniste parashikohen të jenë të larta, por me luhatshmëri më të moderuar dhe me tendencë në rënie përgjatë horizontit kohor të veprimit të politikës monetare. Banka e Shqipërisë do të vijojë të jetë e kujdesshme ndaj tyre, duke synuar gjithnjë përshtatjen e politikës monetare me respektimin e objektivit të saj të inflacionit prej 3% në terma afatmesëm.