Shqiptari ndihmon fqinjen serbe nga tre sulmues të nacionalitetit serb

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Kolashini” në veri të Mitrovicës. Hetuesit policorë të përkrahur nga njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës të stacionit veri në Mitrovicë, thanë se identifikuan dhe arrestuan dy nga tre të dyshuarit e përfshirë.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë, tha se ka marrë njoftimin nga bashkëshorti i viktimës, i cili ka njoftuar zyrtarët policorë se bashkëshortja e tij ishte e sulmuar dhe e detyruar me forcë nga tre persona të dyshuar të nacionalitetit serb.
Viktima ka deklaruar se për arsye ende të panjohura ishte sulmuar nga tre të dyshuar meshkuj, njëri nga të cilët ishte i pajisur me armë zjarri.
Të dyshuarit kishin takuar viktimën e tyre në afërsi të ndërtesës së saj në zonën “Tre rrokaqiejt” dhe të njëjtit me forcë e kishin dërguar atë në banesën e saj ku e kanë keqtrajtuar fizikisht në prani të dy fëmijëve të saj.
Më pas të dyshuarit e kanë nxjerrë viktimën me forcë nga banesa e saj duke e detyruar të futet në një veturë të parkuar para ndërtesës. Gruas në nacionalitetit serb i ka dalë në ndihmë fqinji i saj shqiptar, i cili ka intervenuar pasi i kishte dëgjuar britmat e viktimës. Hetuesit policorë me sukses kanë arritur që t’i arrestojnë dy nga tre të dyshuarit e përfshirë në këtë rast.
Me vendim të Prokurorit publik të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, hetuesit policorë e kanë caktuar ndalimin policor prej 72 orësh ndaj të dyshuarve D.Miladinoviç 45 vjeç dhe Z.Miladinoviç 43 vjeçar, ndërsa janë në kërkim të personit të tretë të përfshirë në këtë rast.
a.b/NOA