Shqyrtohet ligji për Gjykatën e Lartë, PS braktis mbledhjen

Komisioni i Ligjeve ka nisur sot shqyrtimin nen për nen të ligjit për Gjykatën e Lartë. Pas debatëve dhe replikave mes të dyja palëve, deputetët e PS-së kanë braktisur mbledhjen pas vendimit të shumicës për të shqyrtuar nen për nen ligjin.
Kreu i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmajli ka kërkuar shqyrtim nen për nen të ligjit për Gjykatën e Lartë. “Opozita po e bllokon ligji pasi nuk ka amendamente ër Gjykatën e Lartë. Nuk e pengon dot më asgjë diskutimin nen për nen të ligjit, pasi nuk ka asnjë kërkesë nga PS-ja” theksoi Rusmajli.
Ndërsa ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka deklaruar se Partia Socialiste nuk pa paraqitur asnjë amendament të saj për ligjin e Gjykatës së Lartë.
Por i menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetit të PS-së Pandeli Majko i cili ka theksuar se opozita nuk do të marrë pjesë në diskutimet për ligjet me 3/5 pa u marrë në konsideratë kërkesa e saj për qarkun e Fierit.
“Nuk është në detyrën e mazhorancës të përkthejë opozitën. Shumica sot duhet të ishte tek greva e urisës e ish-të përndjekurve. Është bërë qesharak zbatimi i ligjit për funksionim e qarkut të Fierit. Nuk do të ketë diskutime për ligjet me shumicë të cilësuar pa u marrë në konsideratë qëndrimi ynë dhe ky është një qëndrim i prerë i Partisë Socialiste” shtoi Majko.
Ndërkohë përfaqësuesi i EURALIUS ka propozuar që gjyqtarët e zgjedhur mes juristëve nuk mund të jenë më shumë se ¼ duke shtuar se 75% e anëtarëve të gjykatave duhet të vijnë nga gjyqësori.