E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqyrtohet peticioni kundër gjykimit të Kurtit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që kërkesa e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj liderit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurtit, e cila shoqërohet bashkë me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për ngjarjet e 10 shkurtit 2007, të shqyrtohen nga Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi dhe Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Më pas, dy komisionet do t’i paraqesin Kryesisë rekomandimet, para se çështja të shtrohet në seancë plenare.

Në vazhdim, Kryesia në mbledhjen e drejtuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e ka shqyrtuar Propozimvendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullator të Hekurudhave të Kosovës, të cilin ia ka përcjellë Komisionit funksional për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, në mënyrë që kjo pikë të radhitet për seancën e radhës.

Ndërsa, lidhur me Propozimvendimin e Qeverisë për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Zyrës së Rregullatorit të ujësjellësit dhe mbeturinave, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin funksional për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe për Mjedis e Planifikim Hapësinor, që gjithashtu ta përgatisë dhe ta paraqesë raportin me rekomandime.

Kryesia ka vlerësuar se mocioni i deputetit Riza Smaka për përgatitjen e Projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve nga përmbajtjet dhe mesazhet programore të dëmshme është në pajtim me rregullën 34 pika 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, andaj i propozohet Qeverisë të japë mendim lidhur mocionin e deputetit për këtë projektligj.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, konform Rregullores së Punës, ka mbështetur mocionin e deputetit Driton Tali dhe grupit të deputetëve, për debat parlamentar rreth gjendjes në ndërmarrjet publike qendrore, duke kërkuar nga Qeveria informatë të përgjithshme lidhur me gjendjen në ndërmarrjet Publike Qendrore, para privatizimit të tyre nga Qeveria.

Sa i përket mocionit të deputetes Mimoza Ahmetaj dhe grupit të deputetëve, për procedim të Programit për barazi gjinore, Kryesia ka kërkuar nga Komisioni funksional për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, që në një kohë sa më të shpejtë, të shqyrtojë Programin e Qeverisë për Barazi Gjinore dhe Kuvendit t’i paraqesë raportin me rekomandime, thuhet në një komunikatë të Zyrës për marrëdhënie me media dhe publikime e Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›