E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fini me parti të re

Pas muajsh të tërë fjalësh dhe spekulimesh, njeriu që konsiderohet si pasuesi më i mundshëm i kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, ka bërë një lëvizje që mund të konsiderohet si një sfidë e drejtpërdrejtë dhe e hapur ndaj Berluskonit.

Gianfranco Fini, 58 vjeç, kryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit italian dhe bashkëthemelues i Populli i Lirisë, partia që ka pushtetin aktualisht në Itali, nisi një lëvizje të re politike “Gjenerata Itali”.

Fini e ka distancuar veten nga Berluskoni, 73-vjeçar, niveli i popullaritetit të së cilit ndodhet në pikën e tij më të ulët që kur erdhi në pushtet rreth një vit e gjysmë më parë.

Këshilltarët e Finit kanë bërë të ditur se lëvizja do të lansohet online më 1 prill dhe më pas në Konventën e Peruxhias në muajin maj.

Italo Bocchino, një nga organizatorët e lëvizjes së re politike, tha se nuk bëhej fjalë për një parti të re, por për një lëvizje që synonte të “shkundte” Partinë Populli i Lirisë.

Megjithatë, kjo lëvizje konsiderohet nga shumë analistë politikë italianë dhe ndërkombëtarë si një përpjekje e Finit për të qenë më i pavarur politikisht.

Fini ka mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe një qëndrim shumë më liberal se shefi i tij në lidhje me çështje të tilla si emigracioni.

Kryeministri, i cili kohë më parë dukej si njeriu më i pathyeshëm në botë, po goditet vazhdimisht nga skandale të ndryshme, përfshirë ato korruptive.

Së fundi, ai po përballet edhe me zhgënjimin e votuesve italianë të qendrës së djathtë, në lidhje me drejtimin dhe masat e marra për ekonominë, si dhe paaftësinë e partisë që ai drejton për të regjistruar kandidatët e saj në Lazio me rastin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen në fund të marsit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›