Shtatë të vdekur pas një sulmi në Anbar
Një sulmues vetëvrasës hodhi sot në ajër kamionin e tij në afërsi të një stacioni policor në provincën Anbar, në perëndim të Irakut, duke vrarë me këtë rast shtatë persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë, ka njoftuar policia.
Sulmuesi hodhi vetën në ajër në qendër të qytetit Saklavija, në veri të Falluxhës, 50 kilometra në perëndim të Bagdadit. Kamioni shpërtheu në afërsi të portës së stacionit policor, afër ndërtesës së qeverisë provinciale, deklaroi zëdhënësi i policisë, Mohammed Jassim.
Dy nga të vrarët dhe katër nga të plagosurit ishin policë, ndërsa viktimat tjera ishin civilë.
Autoritetet menjëherë pas sulmit vendosën orën policore në qytet. Anbari, qendër kjo e sunitëve në Irak, është goditur nga një seri e sulmeve të përgjakshme gjatë javëve të kaluara.
Një seri e sulmeve me bomba ndodhi javën e kaluar në qytetin Hit, me ç’rast u vranë shtatë persona. Lëndët shpërthyese ishin vendosur gjatë natës, në shtëpinë e komandantit të njësisë anti-terroriste të ushtrisë irakiane dhe në shtëpitë e disa zyrtarëve tjerë.
Sulmuesit vetëvrasës më 30 dhjetor vranë më dhjetëra njerëz në Ramadi, sulme këto të cilat kishin vënë në shënjestër guvernatorin e Anbarit, Qassim Mohammedin, i cili pësoi lëndime serioze.