E Diel, 1 Nëntor 2026

Një tërmet i fuqishëm godet Haitin

Shumë banorë të hutuar dhe të lënduar në Haiti qëndronin ulur nëpër rrugë, duke kërkuar ndihmë, ndërsa një numër i madh i njerëzve ka mbetur i ngujuar nën gërmadha të ndërtesave, të cilat u shembën si pasojë e tërmetit më të fuqishëm, që ka goditur Haitin në 200 vitet e fundit.

Autoritetet theksuan se ende nuk kanë njohuri të sakta për shkatërrimet e shkaktuara nga tërmeti, me një fuqi prej 7.0 shkallë të Rihterit dhe ishte i pamundur edhe vlerësimi për numrin e të lënduarve, e lerë më për numrin e të vdekurve, të cilët mund të jenë mbuluar nga rrënojat e mijëra ndërtesave të shembura në kryeqytetin e Haitit, Port Au Prince.

SHBA-ja dhe shtetet tjera filluan organizimin e ndihmave për Haitin, e planet e tyre për operacione masive i kumtuan edhe Kryqi i Kuq ndërkombëtarë dhe grupet tjera për ndihma.

Ajo që ishte e qartë menjëherë pas tërmetit është se me mijëra njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë dhe se shumë persona konsiderohen të zhdukur.

“Spitalet nuk janë në gjendje që të trajtojnë të gjitha viktimat. Haiti ka nevojë për lutje. Ne duhet të lutemi të gjithë së bashku”, theksoi mjeku Louis Gerard Gilles.

Tërmeti kishte një fuqi prej 7.0 shkallë të Rihterit, ndërsa epiqendra e tij ishte rreth 10 km në perëndim të Port Au Prince, në një thellësi prej 5 kilometra, njoftoi Agjencia Gjeologjike e SHBA-së. Ekspertja Kristin Marano theksoi se është ky tërmeti më i fuqishëm, i cili ka goditur Haitin që nga viti 1770.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›