Shtëpia e Bardhë: Pranimi i palestinezëve i parakohshëm
Shtëpia e Bardhë tha se pranimi i palestinezëve në UNESKO është “i parakohshëm” dhe i shkatërron përpjekjet ndërkombëtare për paqe.
“Votimi i sotëm në UNESKO, për pranimin e Autoritetit Palestinez, është i parakohshëm dhe e shkatërron qëllimin e përbashkët të komunitetit ndërkombëar për paqe të vazhdueshme dhe gjithpërfshirëse në Lindjen e Mesme”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni.
Ambasadori izraelit në UNESKO, Nimrod Barkan, tha se votimi ishte “tragjedi për idenë e UNESKO-s dhe dëm i madh për të drejtën ndërkombëtare dhe për shanset për paqe”.
Agjencia kulturore e OKB-së, UNESKO, sot e ka pranuar Autoritetin Palestinez si anëtar të plotë.
Prej 173 delegacioneve në Asamblenë e Përgjithshme të UNESKO-s, 107 votuan për, 14 ishin kundër, ndërsa 52 abstenuan.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Gjermania, ishin në mesin e atyre që votuan kundër anëtarësisë palestineze.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, në fjalimin e tij në Nju Jork, ka tërhequr vërejtjen se ky votim mund të rezultoj me humbjen e miliona dollarëve të donacioneve për UNESKO-n.
“Ky hap mund të ketë implikime potenciale për fondin, që jepet nga disa vende anëtare”, tha Ban Ki-mun.