Shtëpia në kalanë e Prezës, reagon familja e vjehrrit të Majlinda Bregut: PS po rilind luftën e klasave
Familja e vjehrrit të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, që është duke bërë një ndërtim ngjitur me kalanë e Prezës, ka reaguar duke akuzuar PS-në. Sipas familjes Ajazi, ky është një sulm që PS ka ndërmarrë ndaj tyre, duke rikthyer kështu luftën e klasave.
Ne respekt te sqarimit te opinionit publik po ju bëjmë me dije.
Një sulm i paprinciptë ka nisur këto dy ditë nga rilindasit e rinj të Partisë Socialiste ndaj familjes sonë.
Familja Ajazi është një nga familjet më të vjetra autoktone të Prezës. Një nga pronat e familjes tonë është dhe trualli mbi të cilin ka qenë shtëpia e familjes tonë, që nga shekulli i kaluar e deri në vitin 1920, vit në të cilin u dogj për arsye politike nga Qeveria e Durrësit.
Ky truall me sipërfaqe 1100 m 2 , kthyer familjes 875 m 2, na është njohur me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave në vitin 1992. Prona na është kthyer në vitin 2001 dhe regjistruar po atë vit pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Pas kërkesës tonë për zhvillimin e pronës, konkretisht rindërtimin e shtëpisë pronë e familjes tonë, kemi aplikuar brenda rregullave e ligjeve në fuqi dhe kemi marrë lejen e ndërtimit në të njëjtin truall ku ka qenë shtëpia jonë, në afërsi të murit verior të Kalasë.
Ju sqarojmë se shtëpia jonë, ashtu si të gjitha shtëpitë e vjetra autoktone ekzistuese edhe sot, në afërsi të Kalasë së Prezës, është e baraslarguar po si ato e po sa ato, nga muret e Kalasë. Sot, rindërtimi ka nisur edhe 4 m më shumë larg mureve, në krahasim me shtëpinë e vjetër.
Rindërtimi i parashikuar edhe nga qasja arkitektonike me të njëjtin stil të shtëpisë që kemi patur, nuk cënon aspak bukurinë e Kalasë së Prezës, përkundrazi do të qëndrojnë në të njëjtën harmoni siç kanë bashkëjetuar dikur.
Çdo akuzë tjetër, që bie ndesh me të drejtën e zhvillimit të pronës, lirinë e individit pse jo dhe harmoninë e jetëzimin e monumenteve të kulturës, është jo vetëm keqdashje por një shenjë e qartë e rilindjes së dhunës së përbuzjes ndaj pronarëve, nga individë pa moral që pasi vodhën e shkatërruan pasuri kombëtare, monumentale e pronat e të tjerëve, sot po duan të fshijnë gjynahet në përpjekje për të Rilindur.
Artan Shkreli and co, nuk u ndje kur miku i tij “kryerilindasi “Edi Rama, i dha lejen e ndërtimit për një pallat 20 katësh Fidel Yllit, sipër një prej monumenteve më të vjetër të Tiranës, varrit te Kapllan Pashës, as iu dhimbs shkatërrimi i vlerave kombëtare si kthimi ne pub e restorante me firmën e tij të Kalasë së Lekursit, një kasaphane mbi trashëgiminë tonë kulturore, apo dhënia e lejes se ndërtimit për pallat gjigand mbi murin e Anastasit në Durrës e të tjera e të tjera.
Artan Shkreli sot flet në emër Te misionit të Rilindjes e të Edi Ramës. Kështu po, “Rilindja” merr kuptim. Fiks, rilindje e luftës së klasave e sulm mbi pronarët e ligjshëm. Ju siguroj që siç nuk lejuam të na zhduknin nga trojet tona baballarët e tyre komunistë nuk do të lejojmë askënd nga rilindasit” të pengojë e cënojë zhvillimin e pronës tonë, thuhet në reagimin e familjes Ajazi./b.l