E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu merr mbështetjen e magjistratëve italianë për reformat në KLD

Çfarë u bisedua gjatë takimit të djeshëm në Romë mes Kreshnik Spahiut dhe senatorit Nikola Mancino. Rastet kur do të merret për bazë shembulli i Italisë për reformat në gjyqësor
Laureta Rryçi

Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë në reformat që ka nisur do të ketë mbështetjen e magjistraturës italiane. Kjo u arrit dje falë vizitës së nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), Kreshnik Spahiu, i cili pak kohë më parë kishte marrë një ftesë të Këshillit të Lartë të Magjistraturës Italiane. Sipas njoftimit për shtyp të KLD-së, në Pallatin e Mareshalëve, selia qendrore e Këshillit të Lartë të Magjistraturës Italiane, Spahiu u prit dhe zhvilloi një takim të veçantë me zëvendëspresidentin, senatorin Nicola Mancino, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola. Ndërsa për palën italiane merrnin pjesë disa prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Magjistraturës, si dhe Eugenio Maria Turco, ekspert italian, i cili punon si këshilltar dhe asistent pranë KLD-së.
Takimi
Takimi zhvillohet në një fazë të rëndësishme të një dialogu dhe bashkëpunimi intensiv mes dy strukturave të larta të drejtësisë. Në fokus të bisedës së zhvilluar me këtë rast ishte reforma në drejtësi si dhe asistenca italiane në këtë drejtim, e cila gjen shprehje në projektin e binjakëzimit mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij italian të Magjistraturës. Nënkryetari Spahiu nënvizoi se në procesin e përshtatjes me standardet juridike europiane, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar së fundmi reformën e ndërmarrë në drejtësi në të cilën përfshihen disa propozime të paraqitura në kuadrin e projektit të binjakëzimit, veçanërisht për tema të ndjeshme si: shkollën e Magjistraturës, karrierën e gjykatësve, transferimet dhe emërimet, aplikimet, procedimet disiplinore, strukturat dhe kompetencat e Këshillit.
Bashkëpunimi
Gjithashtu, gjatë bisedës së zhvilluar me këtë rast, u theksua fakti se projekti i binjakëzimit nuk do të thotë eksportim i modelit italian të drejtësisë, por verifikim i kërkesave të vendit përfitues dhe formulim i sugjerimeve që pala shqiptare ka pranuar të adoptojë. Nga ana e tij, senatori Mancino siguroi për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që Këshilli i Lartë i Magjistraturës do të vazhdojë të japë për kolegët dhe strukturat shqiptare, duke vënë theksin te pavarësia e gjyqësorit si standardi parësor për një vend që aspiron të përfshihet në strukturat euroatlantike. Një element kryesor i kësaj pavarësie është edhe buxheti. Nuk mund të pretendohet të zbatohet në mënyrë efikase një strategji që synon reformën e gjyqësorit pa pasur një pavarësi financiare, - ka theksuar z. Mancino. Në fund të takimit z. Spahiu ka ftuar homologun e tij italian për të realizuar sa më parë një vizitë pune në Shqipëri, e cila është pranuar.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›