E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, autopsia nxjerr shkakun e vdekjes së kryeinxhinierit

Autopsia: Helmim dhe asfiksim nga gazi. Hetimet nuk janë mbyllur ende

Inxhinieri Dhimitër Gjeçi ka gjetur vdekjen si pasojë e intoksikimit dhe asfiksimit nga gazi. Ky është rezultati që është afishuar në dosjen e ngjarjes, pas autopsisë që është kryer mbrëmjen e së premtes. Autopsia është kryer në mjediset e Morgut të Spitalit të Fierit, nga ku ka dalë edhe shkaku real i vdekjes së 59-vjeçarit Gjeçi, i cili humbi jetën gjatë punës për të rregulluar një defekt në pusin “Bubullima 14”.

Burime pranë grupit të hetimit, që ka marrë pjesë në autopsi, pohojnë se inxhinieri Dhimitër Gjeçi ka gjetur vdekjen 6-8 minuta pas goditjes nga rryma e gazit në grykën e pusit. “Dyshohej për një çarje të aortës së 59-vjeçarit, por autopsia ka nxjerrë se nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Edhe dyshimi për një përfshirje të një ataku të miokardit ka dalë i kotë. Simptomat në mushkri dhe stomak kanë treguar se intoksikimi dhe mungesa e oksigjenit kanë sjellë asfiksimin dhe për pasojë vdekjen e shpejtë”. Kështu është shkruar në aktin e ekspertizës–ligjore, të përpiluar pas përfundimit të autopsisë së kryer në Fier. Megjithatë, mjeku ligjor që është marrë me këtë rast, Koçi Kërri, ka referuar për policinë, si dhe për drejtuesit e kompaninë “Albpetrol”, se “përgjigje më të specializuar do të japë Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku janë dërguar mostra të analizave përkatëse. Pritet që në mesin e javës së ardhshme të vijë edhe përgjigjja”. Grupi i hetimit, në përbërje të të cilit ka qenë mjeku-ligjor, oficeri i policisë gjyqësore, mjeku i “Albpetrol”-it, përfaqësuesi i prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë së Fierit nuk e cilëson dosjen të mbyllur, ndërkohë që burime të brendshme tregojnë për “Shqip” se hetimet do të zgjerohen deri në zyrat e drejtuesve të kompanisë dhe të ministrisë, ku po përpilohen kontratat e dhënies me koncesion të zonës naftëmbajtëse të Kallmit, ku dhe ka ndodhur tragjedia një ditë më parë. Ndërkaq, dje familjarë, të afërm, dhjetëra naftëtarë, banorë të qendrave të naftës, kanë përcjellë për në banesën e fundit inxhinierin Dhimitër Gjeçi, i cili paraditen e së premtes humbi jetën gjatë ndërhyrjes në një pus gazi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›