Djeg mbeturinat, shkrumbon të gjithë vreshtin e tij
14/01/2010 E kishte mbjellë me kursimet e veta, i doli zjarri jashtë kontrollit
Rrezikohen dhe pronat e fermerëve të tjerë, zjarrfikësit e ndaluan
BERAT- Ka dashur të djegë mbeturinat pranë vreshtit të tij, por ka djegur pa dashur vreshtin e tij, duke shkaktuar një dëm kolosal. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat në afërsi të qytetit të Beratit. Hamza Toska, banorë i fshatit Vodicë, vetëm 8 km në lindje të qytetit të Beratit, ka qenë duke punuar në arën e tij të mbjellë me vresht, duke pastruar vreshtin ai ka grumbulluar thuajse të gjitha mbeturinat që ndodheshin në arë, në fund të parcelës së tij dhe u ka vënë zjarrin duke e lënë të digjet pa u kontrolluar prej tij, por nga përmasat që ka marrë zjarri. Toska nuk ka mundur ta kontrolloj dot për arsye se është larguar për në shtëpi, gjë e cila për pasojë të pakujdesit i është djegur thuajse i gjithë vreshti i tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e një dite më parë, kur pas punës në vreshtin e tij, Toska, ka dashur të djeg grumbullin e mbeturinave të thata, që ishin mbledhur në fund të parcelës dhe ka ikur në shtëpi. Por, era e fortë ka bërë që flakët e zjarrit të përhapen me shpejtësi duke ndezur gjithçka ka gjetur përpara. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit e Repartit të PMNZSH-së së Beratit, të cilët kanë mundur të kufizojnë flakët, duke shpëtuar nga djegia një distributor privat që ndodhej në afërsi, por edhe disa qindra hektar të tjerë në pronësi të fermerëve si bllokut të fiqve, ullinjve etj që ishin në vazhdim të parcelës së tij. Burime të repartit të zjarrfikësve thanë për gazetën, se nuk kanë gjetur asnjë njeri në vendngjarje, ndërsa kanë takuar pronarin e ligjshëm të sipërfaqes së shkrumbuar nga flakët, teksa ishin duke u larguar prej andej. Ka qenë vet Toska ai që u ka treguar, se zjarri ishte ndezur prej tij pa e menduar përhapjen e tyre deri tek vreshti e më gjerë, prej më shumë se 2000 metra katrore, të cilën e kishte mbjellë dhjetë vjet më parë, me kursimet e tij. Kjo ka bërë që të frenohen hetimet e ekspertëve të policisë për shkaktarët dhe autorët e dyshuar për zjarrvënie. Megjithatë, Toska është shoqëruar në polici, ku ka dhënë shpjegimet e rastit dhe pas tre orësh është lënë i lirë të kthehej pranë familjes së tij në fshatin Vodicë. Një vit më parë po në këtë fshat nga pakujdesia janë djegur më shumë se 2 parcela më nga 1 ha secila të mbjella me pemë frutore, ullinj, fiq etj.