Shtet i ri, përvojë e vjetër
Nexhmedin Spahiu / Publicist
- Dy historianë gjermanë ishin habitur se si Perëndimi po jep miliarda euro për të ngritur kombin kosovar ndërkohë që vetë kosovarët janë kundër këtij kombi. U shpjegova që e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kombin shqiptar. Se Perandoria Osmane me t’i humbur territoret e veta në Evropë pas Luftës së Parë Ballkanike, kërkoi që në këmbim të njohjes së realitetit të ri të krijohet një shtet shqiptar me kufij që do t’i përcaktonin Fuqitë e Mëdha. Në atë kohë shqiptarët nuk donin t’ia dinin se Perandoria Osmane ishte në grahmën e fundit të jetës së vet dhe se kushti për një shtet shqiptar ishte klithma e fundit e saj. Jo, jo, shqiptarët e donin akoma osmanlinë, t’i drejtonte ata dhe shqyenin flamujt e kuq me “sorrë” të zezë. E donin flamurin e osmanlisë dhe të ishin pjesë e miletit turk. Investimi në kombin kosovar, si ai në kombin shqiptar Sot shqiptarët e Kosovës bëjnë po të njëjtën gjë që kanë bërë shqiptarët para 100 viteve. Nuk duan të jenë komb më vete po duan të jenë pjesë e kombit shqiptar, që shteti i Kosovës të jetë vetëm i përkohshëm derisa të bashkohemi me Shqipërinë. Harrojnë se Shqipëria ka bërë maksimumin e vet për Kosovën, se ka prioritete më të mëdha se bashkimin me Kosovën dhe se zërat në Kosovë që klithin bashkimin me Shqipërinë shihen në Tiranë, në po të njëjtën mënyrë si është parë puna e Haxhi Qamilit në Stamboll. Pyetja e historianëve gjermanë ishte: Përse Perëndimi që po derdh miliarda euro për Kosovën e për të ngritur kombin kosovar në të njëjtën kohë përkrah ata që kundërshtojnë kombin kosovar ?Kjo është një çështje tjetër. E vërteta është se përderisa mbështetet kombi kosovar, mbështeten përkrahësit e kësaj ideje. Se mbështetës të vërtetë ke atë që t’i mbështet idetë dhe jo atë që përkohësisht të përkrah politikisht. Projekti i kombit kosovar është mbuluar me mjegull. Këtë mjegullim kryesisht e kanë bërë këlyshët e Serbisë. Derisa unë kam shkruar 1 artikull për këtë çështje, kundërshtarët e mi i kanë shkruar 10 shkrime. Derisa unë kam bërë 1 paraqitje televizive, kundërshtarët e mi kanë bërë 100 paraqitje televizive. Për pasojë opinioni kosovar është njohur me ketë ide shumë më shumë nga kundërshtarët e mi se sa nga unë. Në një panel të pan-evropianëve ku isha edhe unë, Jusuf Buxhovi që foli para meje, tha se nuk mund të ketë komb kosovar, sepse shqiptarët dhe serbët nuk mund t’i takojnë një kombi. Po se kush e ka thënë se për t’u bërë kombi kosovar do të duhet që shqiptarët e serbët t’i takojnë një kombi, këtë nuk e tha. Komb është ai komunitet që ka krijuar shtetin përkatës dhe është pronar i tij, qoftë ky komunitet shumicë apo komunitet pakicë. Dhe në rastin e Kosovës ky komunitet që përbën kombin janë shqiptarët e Kosovës. Problemi pse këtë ende e kemi të mjegullt është se këtë shtet nuk e krijuam vetë, na e krijuan të tjerët. Por megjithëkëtë ky është shtet i shqiptarëve të Kosovës, sepse ata që e krijuan këtë shtet në radhë të parë e krijuan për këtë komunitet. Shih përbërjen e Parlamentit të Kosovës, të gjitha komunitetet etnike që janë pakicë kanë deputetë shtesë, vende të rezervuara. Vetëm shqiptarët nuk kanë. Përse? Sepse konsiderohen komb.
Marrë nga zëri.info