Shtetësi për shqiptarët kudo ndodhen, Berisha lë jashtë vetëm Kosovën
Tiranë- Kryeministri Sali Berisha vendosi sot për ti dhënë shtetësinë shqiptare të gjithë shqiptarëve që jetojnë në zonën e Shengenit ose janë pjesë e marrëveshjes së saj. Vendim i cili lë jashtë vetëm popullin e Kosovës, sepse sipas Berishës Kosova ka një marrëveshje në vazhdim me Brukselin zyrtar për liberalizimin e vizave, çka kërkoi edhe mirëkuptimin e kosovarëve.
Vendimi që u bllokua prej më shumë se katër muajsh për shkak të zgjedhjeve. Ka të bëjë me procedurat për njohjen e shtetësisë shqiptare nga persona me origjinë shqiptare me përjashtim të shtetasve të republikës së Kosovës, që janë shtetas në një shtet të pavarur e për të cilët qeveria jonë nuk ka autoritet pa një marrëveshje mes dy qeverive dhe për faktin se Kosova është tani në një proces shumë të shëndetshëm, pas firmosjes së marrëveshjeve me Serbinë. Ky vendim shtrin efektin e tij për të gjithë shqiptarët që jetojnë në hapësirën e Shengenit, me marrëdhenie vizash të njëjta me Shqipërinë me zonën e Shengenit. Me këtë akt Shqipëria është vendi i fundit që ofron bashkëkombësve të vet atë që të tjerët ua kanë ofruar vite më parë në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet si një akt tjetër vecse në interesin më të mirë të shqiptarëve, të paqes e stabilitetit ku ata janë- tha Berisha në mbledhjen sotme të qevrisë.
Berisha duke kërkuar që më 1 gusht të instalohen pikat e aplikimit, tha se dekreti ishte shpallur nga ai vetë në vitin 1992 me përfshirjen edhe të Kosovës.
Të drejtën për të aplikuar për shtetësinë shqiptare do ta kenë shqiptarët, në të gjitha vendet e tjera, përveç qytetareve të Republikës së Kosovës. Kërkoj mirëkuptimin e tyre, sepse është interesi i tyre jetik dhe i Kosovës që problemin e vizave me BE-në ta zgjidhë në mënyrën më procedurore në respekt të plotë të udhërrëfyesit që Brukseli u ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin e vizave. Për Kosovën nuk duhet të jetë Shqipëria, por Brukseli që vendos për lëvizjen e lirë në hapësirën e Shengenit,- tha Berisha.
Ndërkohë kryeministri foli edhe për një sërë vendimesh mes tyre rritja e pagave dhe pensioneve.