Zgjedhjet 2009, sanksione ndaj atyre që nuk marrin pjesë në votime
Eljona Ballhysa
Për të gjithë personat që nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e vitit 2009 do të aplikohen sanksione. Kjo u deklarua dje nga kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i cili bëri analizën e punës 7-mujore të qeverisë. Me një logo të NATO-s pas krahëve dhe me shënimin “Shtatë muajt që ndryshuan Shqipërinë”, Berisha bëri një rezyme të detajuar, ku sigurisht vuri në pah të gjitha arritjet e qeverisë gjatë kësaj periudhe. Duke u ndalur në çështjen e reformës zgjedhore, Berisha theksoi se së shpejti do të diskutojë dhe me Partinë Socialiste që të merren disa sanksione për personat që nuk marrin pjesë në votime. Megjithatë, kryeministri nuk dha shpjegime të detajuara se çfarë parashikon një masë e tillë. Por, duke u nisur dhe nga përvoja e shteteve fqinje, siç është rasti i ligjit grek për zgjedhjet, një vendim i tillë duket se merret për të rritur pjesëmarrjen e njerëzve në zgjedhje, por dhe për një arsye që lidhet me financat. Kjo pasi qeveria shqiptare ka porositur tashmë prodhimin e kartave të identitetit për të gjithë popullsinë në moshë për të votuar. Por po të kemi parasysh pjesëmarrjen në zgjedhje, bëhet e qartë se një shumicë e madhe votuesish nuk shkojnë në kutitë e votimit. Ndaj do të synohet, sipas Berishës, që nëpërmjet një marrëveshjeje me opozitën, të vendoset që të gjithë ata që nuk do të shkojnë për të tërhequr kartat e identitetit, të cilat, normalisht, do të blihen nga qytetarët shqiptarë, të përballen me sanksione nga qeveria. “Ekziston një problem që mendoj se do të diskutohet me opozitën, pasi dihet se është një grup njerëzish që nuk marrin pjesë në votime, dhe për këta të vendosim sanksione. Ndërsa të tjerët, para zgjedhjeve, do ta kenë kartën e identitetit në xhep”, - është shprehur Berisha.
Afati
Ai gjithashtu bëri të ditur se Shqipëria do të ketë sistemin më të mirë të adresave në të gjithë vendin. Berisha theksoi se edhe pasaportat biometrike do të jenë gati për shtetasit shqiptar para zgjedhjeve të 2009-s. Përsa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Berisha u shpreh se këto do të zhvillohen në muajin qershor të vitit 2009 dhe jo në korrik apo në gusht. “Pa diskutim që do t’i avancojmë zgjedhjet. Qeveria ime i avancon dhe nuk i shtyn zgjedhjet. Është e qartë që mund të shtyheshin nga muaji korrik apo gusht, por do t’i bëjmë në qershor dhe nuk e kam problem këtë”, - është shprehur Berisha.
Bashkëpunimi
Kryeministri, duke komentuar marrëdhënien me opozitën, u shpreh optimist për bashkëpunimin për realizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ai tha se, megjithëse, legjislatura parlamentare u mbyll me debate, pritet që në shtator të nisë puna e përbashkët e deputetëve të PD-së dhe PS-së në komisionet parlamentare për të realizuar reformën zgjedhore, realizimi i së cilës është në interesin e të dyja palëve. “Unë jam optimist se do të bashkëpunojmë me opozitën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi kjo është një çështje që i intereson palëve”, - ka bërë të ditur kreu i qeverisë. Por, Berisha ka shprehur pakënaqësi në shtyrjen e ligjit për hapjen e dosjeve, i cili u kundërshtua nga opozita. Megjithatë, ai theksoi se është domosdoshmëri miratimi i këtij ligji nga Kuvendi i Shqipërisë. Po kështu, ai dënoi qëndrimin e opozitës, e cila nuk miratoi ligjin për titujt e pronësisë, duke u shprehur se ky është një ligj që dënon personat që i kanë marrë padrejtësisht tokat, që i përkasin shtetit apo të tretëve. Megjithatë, në kuadrin e bashkëpunimit me opozitën, Berisha vlerësoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese, vendosjen e sistemit zgjedhor proporcional rajonal, zgjerimin e parlamentarizmit, sipas tij, duke i dhënë mundësi deputetëve të zhvillojnë seanca dëgjimore për të dekretuarit, si dhe miratimin me konsensus të ligjit për gjyqësorin.
16 Gusht 2008