Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europa dhe luhatjet aziatike
Ka qenë një buletin i hollësishëm, i saktë dhe objektiv por që në të njëjtën kohë ka sjellë edhe pështjellime në tregjet financiare. Në të vërtetë, fill pas hapjes së tregjeve nuk ka patur shumë gjëra për t’u shënuar, dhe pikërisht kjo mund të merrej si diçka pozitive, por një ditë më pas bursat europiane janë hapur me ulje. Natyrisht një rol të veçantë ka luajtur edhe bursa aziatike e cila nga ana e saj ka qenë e kushtëzuar nga të dhënat makroekonomike kineze që kanë qenë jashtë çdo lloj parashikimi. Në muajin korrik të dhënat tregtare kanë rezultuar më të ulëta ndërsa eksportet edhe pse janë rritur nuk kanë qenë në shifrat e parashikuara. Është dashur që të konfirmohej që rritja botërore po ecën ngadalë që tregjet të luhateshin. Sidoqoftë në buletinin e përmuajshëm të Bankës Qëndrore Europiane lexohej qartë se kriza e debisë sovrane që filloi në vitin 2010 “i përkiste më tepër problemeve të nisura me financat publike greke, për t’u përhapur pastaj në Irlandën dhe më pas me Portugalinë; më vonë edhe Spanja dhe Italia kanë qenë objekt i tregjeve”. Një buletin i përmuajshëm por që në të njëjtën kohë është edhe një studim që i kushtohej diferencave mes vendeve të ndryshme të Eurozonës. “Mungesa e besimit në lidhje me vendosmërinë e Qeverive për t’u përballur me krizën, bashkë me mungesën e një mekanizmi për një zgjidhje efikase, është transmetuar në vendet e tjera” - shkruhej më tej në buletinin e muajit gusht të Bankës Qëndrore Europiane. Për më tepër buletini fliste se në mënyrë komplesive është rritur pasiguria në vendet e Eurozonës. “Ka patur një përkeqësim në vlerësimin e rrezikut të kredisë për firmat. Në mes vendeve më të mëdha të zonës së euros kjo ka qenë e dukshme për firmat italiane dhe pak më e moderuar për firmat hollandeze dhe ato gjermane”. Edhe për papunësinë të dhënat kanë qenë në ngritje. Pritshmëria për papunësinë ishte vlerësuar tek 11,2% për vitin 2012, në 11,4% për vitin 2013 dhe në 10,8% për vitin 2014. Nga ana tjetër në buletinin e Bankës Qëndrore Europiane ishte nënvizuar se “janë veçanërisht bankat italiane, spanjolle dhe ato franceze që kanë kërkuar rifinancimin e Bankës Qëndrore Europiane” duke vënë në dukje se sidomos bankat italiane kanë kaluar 200 miliardë në fund të vitit. Sidoqoftë ekonomia e zonës euro e konfirmuar edhe nga Banka Qëndrore Europiane është paraqitur “e dobët, në një klimë tensioni të tregjeve financiare dhe me një rrije të pasigurisë që dëmton klimën e besimit”. Rritja e tensionit në tregjet financiare mund të shtojë rrezikun për rritjen ekonomike por në të njëjtën kohë edhe për inflancionin. Nga ana tjetër Banka Qëndrore Europiane ka nënvizuar se çmimet për ekonominë e zonës euro po qëndrojnë në linjë me objektivin e Këshillit Drejtues për të mbajtur inflacionin në nivele inferiore por gjithsesi aty tek 2% në periudhën e mesme. Siç është verifikuar edhe në muajin korrik inflacioni përgjatë vitit 2012 është ulur dhe do të shkojë poshtë 2% në vitin 2013. Edhe kursimet e familjeve të zonës euro kanë qenë gjithashtu në minimumin e tyre historik. Kursimet në familjet “janë të stabilizuara në nivelet e minimumit të tyre historik” – kanë saktësuar nga Banka Qëndrore Europiane. Rritja vjetore e të ardhurave të disponueshme në zonën euro është ulur në tremestrin e parë me 1,7%. Ndërkaq në zonën euro duhet të regjistrohet “një rritje vetëm në mënyrë graduale” – kjo e lidhur edhe me një ngadalësim në nivel botëror, me tensionet e disa tregjeve të debisë sovrane të zonës euro dhe me impaktin e tyre në kushtet e financimit”. Ndërkaq janë dhënë sinjale të qarta dhe inkurajuese edhe për monedhën euro. Por luhatjet e tregut aziatik tashmë nuk po shqetësojnë vetëm bursat europiane por edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nisur nga kjo, por edhe nga fakti që në ekonominë amerikane janë ndërfutur shtete (rolin kryesor natyrisht e ka Kina) të cilat përpiqen që të jenë kundra konkurencës duke cënuar në këtë mënyrë edhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht në këtë vend po rishikohen instrumentat e kontrollit. Sipas të dhënave, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, firmat e huaja përbëjnë 5% të punësimit në sektorin privat, 17% të vendeve të punës në sektorin e manifakturës, 21% në eksporte, dhe 14% në kërkimin dhe zhvillimin. Ndoshta nisur edhe nga këto të dhëna Këshilli i Punës dhe i Kompetivitetit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama ka aprovuar një program të ri për të kordinuar në nivel qeveritar angazhimet për mbështetjen e tyre.