Shtetet europiane kërkojnë sanksione ndaj Sirisë

Diplomatët thanë se shtetet evropiane do t`i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të votojë gjatë ditës për një draft-rezolutë, me të cilën do të kërcënohej regjimi sirian me masa ndëshkuese nëse qeveria e këtij vendi nuk ndal menjëherë shtypjen e dhunshme të protestave.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të votojë anëtari i përhershëm i Këshillit të Sigurimit Rusia, e cila deri më tani është zotuar për të vënë Veto-n ndaj çfarëdo lloj rezolute kundër Sirisë.
Sipas mediave, së fundi u vendos që fjalët “sanksione” të hiqen nga teksti i rezolutës dhe të zëvendësohen me termin “masa” të paspecifikuara ndaj regjimit sirian.
Diplomatët shprehin bindjen që rezolutën në fjalë ta mbështesin Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Gjermania dhe Protugalia.
Rusia, India, Kina, Afrika Jugore dhe Brazili kanë kundërshtuar, ndërkaq, çfarëdo lloj rezolute me të cilën regjimit të Sirisë do t`i viheshin sanksione të caktuara.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 2.700 njerëz janë vrarë gjatë shtypjes së protestave kundër regjimit sirian që nga muaji mars.