Presidenti afgan Karzai viziton Indinë
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, do të zhvillojë sot një vizitë në Indi. Vizita vjen pas tensioneve në mes qeverisë së Karzait dhe Pakistanit, rivalët tradicional të Indisë, të cilët kanë kufij si me Afganistanin edhe me Indinë.
Karzai pritet të takohet me kryeministrin indian, Manmohan Singh dhe të nënshkruajë marrëveshje që tentojnë të forcojnë marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve. Raportet thonë se forcimi i lidhjeve ka të bëjë me disa plane për të zmadhuar rolin e Indisë në Afganistan.
Marrëdhëniet mes Pakistanit, administratës së Karzait dhe Shteteve të Bashkuara, janë tensionuar kohët e fundit, pas akuzave afgane dhe amerikane, sipas të cilave agjensitë e Pakistanit kanë mbështetur militantët rreth vrasjes së ish presidentit afgan Burhanuddin Rabbani muajin e kaluar dhe rreth sulmeve të tjera në Afganistan.
India gjithashtu akuzon Pakistanin se ka pasur lidhje me militantët që kanë kryer sulme që kanë pasur për shënjestër indianët. Ndërsa zyrtarët pakistanez kanë mohuar të kenë lidhje me sulme të tilla.