E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti braktis 11 marinarë në Libi

Janë bllokuar në anijen e prishur. Ministria e Jashtme thotë se nuk ka fonde për riatdhesimin

Ekuipazhi i anijes shqiptare “Brustel” ka mbetur në mëshirë të fatit. Përveç faktit se prej shtatë muajsh nuk janë paguar, marinarët ndihen të braktisur edhe nga shteti i tyre që nuk u mundëson dot kthimin në atdhe. Njëmbëdhjetë marinarë shqiptarë kanë mbetur peng i krizës financiare. Fillimisht asaj të kompanisë, pronë e së cilës është anija dhe së fundmi e pafuqisë së shtetit për të mbështetur financiarisht udhëtimin e kthimit të tyre me avion. Prej muajsh të tërë marinarët dergjen në ujërat afrikane, pa mundur të marrin një zgjidhje të situatës, ndërsa familjarët e tyre janë zhytur në ankth për atë që po ndodh me ta. I vetmi që ka mundur të riatdhesohet dhe të mbërrijë në Shqipëri është marinari që humbi të shoqen, ndërsa ishte bllokuar në Libi. Të tjerët nuk kanë para të bëjnë realitet kthimin. Kur kompania “Bruno” sh.p.k. shleu borxhet që u detyrohej agjentëve libianë, anija ngriti spirancën për të nisur lundrimin drejt Algjerisë. Pas pesë orësh lundrim ajo pësoi një defekt të rëndë në motorin kryesor. “Falë Zotit ishte kohë e mirë dhe jo larg bregut të detit dhe ngjarja nuk u kthye në tragjedi”, thonë për gazetën “Shqip” familjarë të marinarëve.

Peripecitë

Autoritetet e Libisë ndërhyjnë për shpëtimin e anijes. Ekuipazhi që ndihet plotësisht i braktisur iu drejtua Ministrisë së Punëve të Jashtme për kryerjen e veprimeve procedurale, por lëvizjet e diplomacisë shqiptare për riatdhesimin e marinarëve ngecën për arsye financiare. Me ekuipazh dhe flamur shqiptar, anija “Brustel” ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Nigerinë dhe pas një lundrimi jo të lehtë mbërriti atje. Por telashet do të nisnin në muajin janar të këtij viti, kur anija u bllokua në Libi për shkak të borxheve që pronari i kishte agjencisë doganore. Ashtu si anija turke me ekuipazh azerbajxhanaso-gjeorgjian që u bllokua në vendin tonë për të njëjtin problem, ekuipazhi prej 13 marinarësh mbeti pa furnizime. Kaloi ndërkohë një fortunal të fortë detar, ndërsa anija ndodhej në gjendje jo të mirë teknike. Gjendja psiko-emocionale e marinarëve u rëndua më tej, pasi ata nuk lejoheshin të zbrisnin në tokë dhe as marinarit që i vdiq e shoqja nuk iu dha mundësia të merrte pjesë në ceremoninë mortore të saj. Agjencia nuk pranonte riatdhesimin e askujt, pa u shlyer borxhet nga ana e pronarit të anijes. Të ndodhur në një situatë tepër të rëndë, marinarët dhe kapiteni i anijes, Armando Ulqinaku, vendosën të kërkojnë ndihmë publikisht. Pronari u detyrua të shlyejë borxhet dhe kjo mundësoi riatdhesimin e marinarit që i kishte ndodhur fatkeqësia. Asnjë veprim nuk u mor për të ndërhyrë në gjendjen teknike të anijes, apo për të shlyer rrogat e prapambetura të marinarëve, megjithatë “Brustel” mund të nisej sërish në lundrim e të merrte rrugën e kthimit. Ka kaluar më shumë se një muaj nga kjo periudhë dhe anija, për shkak të kushteve teknike, qëndron e bllokuar, po ashtu dhe marinarët që nuk kanë para për t’u kthyer.

Një tjetër faks me kërkesën për riatdhesim iu drejtua Ministrisë sonë të Jashtme. Ekuipazhi kërkoi të kthehet, pasi nuk sheh asnjë dritë shprese. Përmes zyrës Konsullore dhe z. Sajmir Bala, MPJ tregohet e gatshme të riatdhesojë ekuipazhin. Në lëvizje u vunë autoritetet konsullore në Egjipt, pasi ne nuk kemi zyrë konsullore në Libi. E ndërsa u duk se gjithçka po merrte rrugën e zgjidhjes, marinarët morën përgjigjen se ministria nuk merr përsipër shpenzimet e udhëtimit, pasi nuk ka fonde për këto procedura. Përgjigjet deri tani kanë qenë negative në rezultate dhe anëtarët e ekuipazhit vazhdojnë të kërkojnë ndihmë nga vendi i tyre, nënshtetas të të cilit janë me të drejta të plota.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›