Shteti laik dhe pashkët kosovare
Kosova, shtet laik dhe multifetar
Kushtetuta e Kosovës e karakterizon Kosovën si një shtet laik dhe neutral për sa i përket çështjeve të besimeve fetare. Dhe pikërisht qeveria e Kosovës duhet të punojë për të mbrojtur mbi të gjitha karakterin e saj multietnik, multikulturor dhe multifetar që të konsiderohet si një shtet i së drejtës. Laiciteti i shtetit që në thelb nënkupton ndarjen e pushtetit politik dhe administrativ nga autoriteti fetar. Koncepti modern i laicitetit del në pah, atëherë kur shteti vendos të tolerojë fetë e tjera që ndodhen në minoritet në krahasim me besimin mazhoritar në vend. Për sa i përket lirisë së kulteve: të gjitha kultet janë të barabarta dhe duhet t’i nënshtrohen dhe të respektojnë rregullat e shtetit.
Kosova është e përbërë nga disa besime: mysliman, ortodoks, katolik e bektashi, të cilët duhet të punojnë në paqe dhe harmoni të plotë dhe sigurisht duhet një ndërhyrje apo rregullim nga shteti për sa i përket veprimtarisë së tyre, gjë e cila do të ndihmonte
bashkëjetesën mes këtyre komuniteteve. Ne bazë të nenit 38 dhe 39 të Kushtetutës kosovare, liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar. Liria e besimit ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar, askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij. Por, pikërisht kjo liri e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, ose të të drejtave të personave të tjerë.
Shteti modern multietnik dhe identiteti kosovar
Është me shumë rëndësi që bazat e shtetit të ndërtohen me pjekuri dhe maturi. Në Kosovë është me rëndësi ngjizja e shtetit të së drejtës, shtetit demokratik, multietnik, multifetar dhe inkuadrimi i Kosovës në proceset integruese drejt shoqërive demokratike dhe sigurisht feja luan një rol thelbësor. Ndonjëherë, raportet e shtetit dhe fesë janë të diktuara nga një tërësi faktorësh historikë, socio-kulturorë dhe politikë. Elementet kryesore që karakterizojnë këtë bashkësi faktorësh janë pikërisht: procesi i shtetformimit, kompozimi fetar i shtetit dhe kërcënimet që shteti mund të ketë, të cilat shteti dhe kolektiviteti fetar dominues përballohen.
Le të marrim shembullin e Shqipërisë, shteti shqiptar u themelua si ideal bashkëjetese mes shqiptarëve të feve të ndryshme, që donte të thoshte edhe e traditave të ndryshme kulturore, dhe pikave të ndryshme të referimit politik, ekonomik dhe etik. Dhe kjo ka bërë që të krijohet një ekuilibër mes të gjitha feve në Shqipëri, qoftë ajo myslimane, ortodokse, katolike, apo bektashe.
Një shembull tjetër i shtetit laik modern është dhe ai i themeluar nga Mustafa Qemal Ataturk në vitin 1922. Laiciteti turk i ka mundësuar shtetit të aneksojë fushën fetare në shërbimin publik. Ataturku me idetë e tij bëri që të “rrëshkasë” identiteti “myslimano-osman” në një identitet nacionalist “turko-laik” apo siç thirret ndryshe “qemalist”, dhe është pikërisht kjo shkëputje e identitetit që hodhi bazat e shtetit modern turk.
Kosova është një vend ku ka shumë etnitete, dhe pikërisht të gjitha ato duhet të bashkohen për të krijuar një identitet të përbashkët. Të gjitha etnitë kanë gjuhë, kultura dhe histori të ndryshme, secila prej tyre mbron identitetin e vet të origjinës. Shqiptarët iu referohen heronjve të tyre, serbët po ashtu, e njëjta vlen dhe për grupimet e tjera të pakicave kosovare, si turq, romë e të tjerë, që kanë identitetin e tyre. Pikërisht shteti kosovar duhet t’i përfshijë të gjithë në identitetin kosovar. Dhe është pikërisht kjo sfida që shteti kosovar duhet të përballet me “rrëshkitjen” e identitetit mysliman apo katolik të shqiptarëve, të atij ortodoks të serbëve, dhe të minoriteteve të tjera në një identitet “kosovaro-laik”!
*Autorja është studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze “Politique Internationale”