Vdes 17-vjeçarja pas operacionit të bajameve, mjekët nën hetim
Ekspertiza
Sipas konkluzioneve të ekspertizës, shkaku i vdekjes ka qenë hemorragjia. Ky ishte rezultati që dha ekspertiza mjekoligjore, e cila iu bë vajzës pas vdekjes. Ndërkohë, familjarët pohojnë se, gjatë operacionit vajzës mund t’i jetë prerë ndonjë venë, çka mund të ketë sjellë hemorragjinë.
Çështja
Kjo çështje është marrë nën hetim nga prokuroria, e cila po kryen hetimin për të gjithë procedurën, që nga shtrimi, mosfutja e vajzës në reaminacion dhe mungesa e ndihmës në momentet e fundit. Klinika ku ishte shtruar vajza ishte e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndaj ky rast ka nxitur autoritetet të ngrejnë një ekip kontrolli, për të verifikuar nëse i plotësonte apo jo klinika kushtet për të kryer operacionet. Kontrolli do të përfshijë edhe dhjetëra klinika të tjera, kryesisht në Tiranë, shumica e të cilave janë të vendosura në apartamente brenda pallateve.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Edmond Stojku, “që sot (dje) në mëngjes u dha urdhri i ministrit për ngritjen e një grupi pune nga Ministria e Shëndetësisë për të verifikuar rastin në fjalë. U mor informacioni i gjithë ngjarjes së ndodhur. Informacioni që vajza është operuar në një klinikë private në Pogradec, e cila është e licencuar si profesionalisht nga urdhri i mjekut, ashtu edhe si objekt nga Ministria e Shëndetësisë.
Mjeku Xhevahir Hoxhallari është mjek i specializuar për këto ndërhyrje.” Për sa u përket standardeve që duhet të plotësojë një klinikë, Stojku tha se, “në kohën kur është marrë licencimi i kësaj klinike mendoj se janë marrë parasysh të gjitha, si: sipërfaqja, vendndodhja, hapësira, aparaturat.”
Ndërsa, në lidhje me kontrollet që ministria ushtron në klinkat private, Stojku tha se, “ne kemi kontrolluar vetëm qytetin e Tiranës. Duhet ta dini që është një qytet shumë i madh dhe ka qindra klinika. Urdhri i ministrit është për kontroll të të gjitha klinikave private në të gjithë territorin e republikës, sepse licencat janë dhënë edhe nga stafet teknike që kanë qenë më përpara nesh, ndërsa nga ana ligjore merret Ministria e Drejtësisë. Pra, merret mjekësia ligjore.”
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Edmond Stojku, deklaroi se, “grupi i posaçëm i punës po mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm mbi mënyrën e ndërhyrjes në bajame, me qëllim gjetjen e shkakut të vdekjes së Matilda Petritit”. Sipas tij, sot pritet që Ministria e Shëndetësisë të përgatisë një raport të detajuar për ngjarjen, zbardhja e së cilës ka nisur edhe nga mjekësia ligjore.
Mjekët nën akuza
Akuzat e familjarëve kundrejt mjekëve përsëriten jo më larg se disa jave më parë, kur një tjetër 17-vjeçar, Martin Turtulli, mbeti i paralizuar pas një operacioni për heqjen e apendicit në pavijonin e kirurgjisë në QSUT. Edhe atëherë të afërmit akuzuan mjekët se kishin gabuar gjatë operacionit, duke i prerë indin nervor, për pasojë ai mbeti i paralizuar dhe pjesërisht i verbër. Akualisht, djali ndodhet i shtruar në një spital në Itali, ku po merr trajtimin e duhur, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.