E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shteti pranë njerëzve në nevojë dhe po jep ndihmë efiçente që të përballohet sa më lehtë dimri i ashpër”

15-02-2012 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, merr pjesë në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës në Qarkun e Korçës dhe në Librazhd

Mbajtja në gatishmëri e rrugëve nacionale, rurale dhe komunale duhet të kryhet në bashkëpunim jo vetëm me ndërmarrjet e mirëmbajtjes së rrugëve, por edhe me firmat nënkontraktore e banorët e zonave, tha dje Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Ministri Bujar Nishani mori pjesë në mbledhjen e përditshme të Shtabit të Emergjencës në Qarkun e Korçës, ndërsa falënderoi anëtarët e tij dhe drejtuesit e pushtetit vendor që kanë menaxhuar me sukses situatën e dimrit të ashpër në juglindje.
Ministri i Brendshëm nënvizoi se bashkëpunimi i strukturave të shtetit me organet e pushtetit dhe banorët e zonës ka qenë çelësi i suksesit në këtë zonë.
Ministri Nishani la si detyrë vazhdimin e gatishmërisë së shërbimit shëndetësor 24 orë pa ndërprerje dhe kryerja e këtij shërbimi në mënyrë sa më cilësore. Ai përcaktoi edukimin dhe afirmimin e solidaritetit dhe ndihmës mes banorëve për të kaluar me sukses sfidën që po na bën natyra.
Ministri Nishani ka kërkuar solidaritet e sakrifica edhe për punën që është duke u  kryer për furnizimin e juglindjes me energji elektrike, për sigurimin e barnave e të ushqimeve për banorët e fshatrave e komunave të bllokuara nga dëbora për komunikimin njerëzor e të kuptueshëm me njerëzit.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani tha se, “duhet të tregojmë në gjithë veprimtarinë, se shteti është pranë njerëzve në nevojë dhe po jep ndihmë efiçente që të përballohet sa më lehtë dimri i ashpër që pritet të vazhdojë deri në fund të shkurtit”. 
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani mori pjesë dje edhe në mbledhjen e shtabit të emergjencave civile në Librazhd, disa orë pas takimeve në Korçë. Gjatë takimit me shtabin e emergjencave civile të nënprefekturës së Librazhdit ministri ka diskutuar për zgjidhjet më të mira të mundshme për kapërcimin e situatës së krijuar nga  fatkeqësitë natyrore të ditëve të fundit.
Ministri Nishani ka ritheksuar se, “qeveria shqiptare ka marrë masa për përballimin e gjendjes emergjente”.
Në fjalën e tij, ministri Nishani kërkoi bashkëpunim të strukturave të pushtetit lokal për të përballuar situatën, ndërsa ka shtuar se qeveria shqiptare ka marrë masa për përballimin e gjendjes emergjente.
“Situata nga moti i keq është e vështirë por nuk ka vend për panik. i kemi të gjitha kapacitetet për përballimin e situatës. Mungesa e energjisë nuk është problem, përveç rasteve të defekteve. Policia dhe Shtabi i Emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Megjithatë ajo çfarë vlen për tu theksuar është fakti se kërkohet bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore”, tha Nishani.
Ministri i Brendshëm kërkoi solidaritet mes banorëve për të pastruar çatitë e shtëpive nga dëbora ndërsa bëri apel edhe për rreziqet që mund të vijnë nga ortekët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›