E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti shet: Një BMV, 13 lekë/kilogrami

Në ankande automjetet luksoze shiten as me 10% të vlerës me të cilën janë blerë, pasi jepen vetëm për skrap

Shohim shpesh makina luksoze, motorë të llojeve të ndryshëm, çmimi i të cilëve në blerje është mbi 30 mijë euro. Jo pak prej tyre i kemi parë përpara komisarieteve të policisë, pasi pas operacioneve të ndryshme janë bllokuar, sepse pronarët e tyre kanë rezultuar të përfshirë në krime të ndryshme. Dhe këto automjete, në rastin më të mirë, kalojnë në pronësi të shtetit, i cili mund të hapë një ankand dhe t’ia shesë ofruesit më të mirë ku mund të fitojë vërtet shumë. Ose... mund të presë që të arrijnë një gjendje vërtet të shkretë dhe t’i shesë për skrap duke bërë të lumtur blerësin që ofron më shumë...

Sot enti qeveritar i rezervave materiale të Shtetit do të nxjerrë në ankand 844 automjete, vetura “BMV” dhe motoçikleta “Harley Davidson”, sidhe anijen “Delon”, e bllokuar gjashtë vjet më parë nga policia e Durrësit. Çmimi i shitjes së automjeteve? 13 lekë/kilogrami. E rrallë, por e besueshme nëse ndodh në Shqipëri. Pikërisht ky ent, herë pas here zhvillon ankande ku jep për skrap automjetet, si dhe mjete lundruese të bllokuara në operacione të ndryshme të policisë. Kur kanë qenë të reja, secila prej tyre ka kushtuar mbi 30 mijë euro, e megjithatë, në momentin e shitjes kushtojnë rreth 13 lekë/kilogrami. Dhe në fakt ky është çmimi me të cilin është vendosur që të fillojë ankandi që do të zhvillohet për shitjen e automjeteve të sekuestruara nga qarku i Vlorës dhe Gjirokastrës, por edhe për anijen “Delon” të sekuestruar gjashtë vjet më parë në Durrës, e ngarkuar me drogë e klandestinë. Ankandi i prag Vitit të Ri, me dy lotet, 844 makina dhe 1 anije, synon të shesë gjithsej 1 241 782 kg skrap me një vlerë prej 16 143 160 lekësh ose rreth 163 mijë dollarësh.

Mësojmë se më 3 nëntor 2008, nga Drejtoria Rajonale e Rezervave Materiale të Shtetit Vlorë u shitën në ankand si skrap 165 automjete dhe motoçikleta të konfiskuara prej vitesh. Njëri ankand ishte për 118 automjete dhe motoçikleta që ndodhen në Triport Vlorë. Ankandi tjetër ishte për 47 automjete dhe motoçikleta, që ndodhen në Fier dhe Lushnjë. Sipas autoritetit shitës, ofertuesi i suksesshëm, më i miri, për të dy lotet, pagoi një çmim 16,8 lekë për kg skrap, me vlerë totale 3 274 000,8 lekë ose rreth 34 mijë dollarë (!!!).

Ndërkaq, blerësit “dorë e parë” duket se do të jenë vërtet të lumtur. Përveç pjesëve të makinës që do ta shesin për skrap, pjesët e tjera të këtyre automjeteve do të shiten mjaftueshëm sa për t’u siguruar një fitim 15-fish krahasuar me atë çka kanë shpenzuar...

SKRAPI

Anulime ankandesh

Drejtoria e Albkontrollit Sha, më datë 17.11.2008, zhvilloi procedurat për hapjen e ankandit me objekt “Shitje skrapi”. Ankandi u anulua për mungesë konkurrence.

Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Sha Durrës, më datë 10.11.2008, zhvilloi procedurat për ankandin me objekt “Shitje skrapi hekurudhor”. Ankandi u anulua për mungesë konkurrence.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›