E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet kisha 200-vjeçare e Nartës

ZJARRI/ Qirinjtë dyshohet se kanë qenë shkak për djegien e objektit fetar i cili ndodhet në këtë vend që në shek e 19-të

Banorët janë shprehur të acaruar për ngjarjen e ndodhur, megjithëse është përjashtuar zjarrvënia e qëllimshme

VLORË - Flakët e zjarrit kanë përfshirë dje kishën në qendër të fshatit Nartë. Ngjarja ka mbledhur në shesh shumë nga banorët e fshatit, pasi zjarri në objektin e kultit 200-vjeçar, i ka prekur ata shpirtërisht. Fillimisht zjarri është parë nga një prej banoreve të fshatit, e cila ka dalluar tymin dhe ka tërhequr vëmendjen për këtë. Një nga gratë, e cila ka dyqanin pranë kishës, ka nxituar shpejt të hapë derën. “Kam një çelës të kishës dhe kur kemi hyrë brenda, nuk shihej asgjë. Kishte vetëm flakë dhe tym. Flakët ishin përqendruar nga ana e djathtë, ku ndodhet depoja dhe, sipër saj, është ndenjësja e grave, - shpjegon gruaja. Ajo pohon se e kanë pritur situatën shumë të tronditura, pasi e shikojnë kishën si diçka të shenjtë. Gratë kanë dhënë alarmin dhe menjëherë kanë mbërritur katër djem, të cilët kanë nisur të shuajnë zjarrin me mjete rrethanore, si dhe nuk kanë lejuar përhapjen e flakëve në të gjithë kishën. Mbërritja e zjarrfikëses më pas ka mundësuar shuarjen përfundimtare të flakëve.

Djegia

Si pasojë e këtyre të fundit janë djegur disa objekte brenda kishes. Fatmirësisht nuk janë djegur ikonat që janë varur në pjesën më të madhe të mureve në kishë si dhe disa objekte të tjera. Aktualisht fillimi i orëve të mëngjesit e ka gjetur kishën hapur, pasi ditëve të diela ka ceremoni fetare. Pasi ceremonia është mbyllur, janë larguar edhe priftërinjtë. Mendohet se flaka është ndikuar nga ndonjë qiri i pafikur mirë, të cilët depozitohen në depo, pasi aty edhe dëmet janë më të mëdha. Megjithatë, duke parë dëmet, priftërinjtë pohojnë se ato janë të konsiderueshme, pasi janë djegur disa objekte, si dhe tavanet. Gjithçka do të riparohet, por do të priten njëherë festat, për të mundësuar më pas ndërhyrjen në kishën e Nartës. Vetë priftërinjtë e kanë mohuar të ketë një zjarr të qëllimshëm. Sipas tyre, gjithçka ka ardhur aksidentalisht.

Dëshmitë

Pandeli Thanasi, 83 vjeç, nuk e fsheh dot keqardhjen për kishën. “Dikur kujdesesha për të, - thotë ai. - Kisha duhet të trajtohet me shumë kujdes, Është gjynah i madh kjo që ka ndodhur. Dhe faji është i atyre që e kanë lënë në duar jo të sigurta. P.sh.: tani kisha është hapur dhe ka edhe jo vendas që mund të vijnë këtu dhe të vjedhin”. I moshuari ka gjithë orët e paradites që është mbërthyer në kishë dhe prej orësh nuk ka lëvizur prej aty. Këto ditë në Nartë kanë ardhur dhe shumë emigrantë për festat e Krishtlindjeve dhe të fundvitit dhe në kishë ka pasur më tepër njerëz se zakonisht. Kisha e Nartës është ndërtuar prej vitit 1808 dhe së fundmi ka pasur riparime në të. Brenda në kishë ka ikona dhe objekte me vlerë, një pjesë e të cilave, fatmirësisht, i ka shpëtuar flakëve të zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›